Anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Saranda Bogujevci nga Lëvizja Vetëvendosje pas mbledhjes së këtij ka thënë se është kërkuar hetim i rastit ku 26 –vjeçari nga Gjilani humbi jetën në karantinën në Qendrën e Studentëve, raporton Ekonomia Online.
“Kemi qenë të fokusuar që kjo çështje të trajtohet me dinjitet. Kemi kërkuar të gjithë njëzëri që të kryhen hetimet rreth rastit dhe gjithashtu si rezultat ka pasur propozime të ndryshme që edhe të kërkojmë të dhënë më të detajuara nga institucionet rreth procesit të karantinës dhe jemi pajtuar si komision që t’i marrin këto të dhëna. Gjithashtu është diskutuar për mundësinë që t’i kemi disa vizita dhe të njoftohemi me situatën”, tha Bogujevci.
Ajo ka thënë që nuk duhet që familjes t’i krijohet dhimbje më e madhe dhe të respektohet puna e prokurorisë.
“Ende nuk ka ardhur zyrtarisht kjo nismë dhe patjetër ne jemi për çdo komision që zbardh rastin. Unë mendoj që duhet të përqendrohemi te pjesa që mos të krijojmë dhimbje më të madhe për familjen dhe duhet ta respektojmë punën e prokurorisë dhe mos të ndërhyjmë në punën e tyre.
Është një rast shumë i rëndë dhe të gjithë kanë përjetuar këtë rast shumë rëndë por mendoj që duhet të ketë hetim dhe të kemi përgjigje”, shtoi ajo.