Një fotografi e tij i shpreh njëmijë fjalë, por kësaj here ai ka zgjedhur që përmes fjalëve dhe jo pamjeve, të flas për shijet e tij muzikore.
Në rubrikën javore të Gazetës Zëri, “Rrëfej përmes muzikës”, artisti i fotografisë, Fahredin Spahija, flet për ditët e rinisë së tij, muzikantët e grupet që e kanë impresionuar, por edhe udhëtimet mbresëlënëse. Nga “House Of The Rising Sun” e grupit The Animals, e deri tek “The Sounds of Silence” e Simon dhe Garfunke. Lexojeni rrëfimin muzikor të Fahredin Spahisë.
The Animals – House Of The Rising Sun (1 964)
Është ndër këngët e para që i kam dëgjuar në dhomën e vëllait tim të madh Farukut, pas kthimit të familjes sonë nga Maqedonia në Mitrovicë, në vitin 1968.
The Beatles – Don’t Let Me Down (1 969)
Kjo këngë ma kujton pllakën e parë të gramafonit nga vini-li që kam kapur në dorë, por ishte edhe kënga që më bëri të lidhem shpirtërisht me grupin “The Beatles” dhe me muzikën rok, qysh kur isha në shkollën fillore.
Deep Purple – Child in Time (1 970)
Kënga “Child in Time” ma kujton periudhën e adoleshencës sime të hershme, kur bashkë me shokun tim të ngushtë të fëmijërisë, Shemsi Halilin, krijonim “instrumente” nga paketat e dërrasat dhe mbanim “koncerte të hapura’ në lagjen tonë. Kjo ishte njëra nga këngët e “repertorit” që e këndonim me shumë zell!
Queen – Bohemian Rhapsody (1 975)
Gjatë kohës sa isha gjimnazist (1975/78) shija ime për rok muzikën ndryshoi dhe grupi britanik “Queen” u bë idhulli im muzikor i radhës.
Një tjetër shok fëmijërie, Agron Kalludra, e kishte blerë albumin e tyre “A Night At The Opera” dhe më ftoi në shtëpinë e tij për ta dëgjuar. “Bohemian Rhapsody” ishte kënga që më impresionoi shumë dhe ajo ka mbetur edhe sot ndër këngët e mia më të përzgjedhura të rok muzikës.
Barbra Streisand – Woman In Love (1 980)
Sa herë e dëgjoj këtë këngë më sjell ndërmend ëmbëltoren e “Bororamizit” dhe takimin e parë me vajzën që dashuroja kur isha student i vitit të dytë në Akademinë e Arteve, në drejtimin e grafikës. Isha i ri dhe i dhënë i tëri pas artit dhe studentes së ndërtimtarisë!
Hair (Film) – Let The Sunshine In (1 969)
Në vitin 1984, bashkë me tre shokë mitrovicas, ndërmorëm një udhëtim të tipit Auto-Stop (hitch-hiking) nga Mitrovica deri në Londër. Të frymëzuar shumë nga lëvizja hipike e viteve të gjashtëdhjeta, që si himn të saj e kishte këngën “Let The Sunshine In”, ne udhëtuam për dy javë me vetura të huaja që i ndalonim nëpër autostradat evropiane. Flinim nëpër parqe, stacione trenash dhe afër pompave të benzinës në “thasët” për fjetje. Me çanta shpine, të parruar dhe me flokë të shpupuritur imitonim hipikët anglezë dhe amerikanë që ishin simbolika e Woodstock-ut.
Scorpions – Still Loving You (1 984)
Kjo këngë e rok-grupit gjerman “Scorpions” ma kujton një udhëtim të mrekullueshëm në Gjermani, në dimrin e vitit 1985. Përjetimet në Munih, në Tegernsee, në Nyrnberg dhe në Erlangen rifreskohen sa herë e dëgjoj këtë këngë.
Santana – Europa (1 976)
Në vitin 1990 emigrova në Zvicër dhe atje, një ditë, duke pa CD muzikore në një market të madh të Cyrihut, hasa në kompletin e CD-ve të Carlos Santanës, një kitarist meksikan që e kisha dëgjuar edhe më herët në valët e radios dhe që e adhuroja pikërisht shkaku i kryeveprës së tij “Evropa”. E bleva kompletin e tij dhe që atëherë ai qëndron në vitrinën ku mbaj muzikën time të zgjedhur.
Pink Floyd – Shine On You Crazy Diamond (1 975)
Ky rok-grup për mua përfaqëson ajkën e historisë së rokut botëror, kurse këngën “Shine On You Crazy Diamond” e konsideroj një nga kryeveprat e tyre muzikore. Dashuria ime për muzikën e tyre është rritur dukshëm nga informatat dhe ligjërimet e njohësit më të madh shqiptar të këtij grupi, Agron Shala.
Simon & Garfunkel – The Sounds of Silence (1 964)
Është kënga që e kam dëgjuar në të gjitha moshat e mia e që për mua paraqet njërën ndër këngët më të dashura që kam dëgjuar ndonjëherë. Për vlerat e saja të rëndësishme estetike, historike dhe kulturore kjo këngë është arkivuar në Regjistrin Nacional të Regjistrimeve në Bibliotekën e Kongresit Amerikan.