Drejtori i qendrës së Vetëvendosjes në Shqipëri, Boiken Abazi thotë se kryeministri Edi Rama e ka përqafuar Kurtin si bokser në Tiranë ku u mbajt Samiti për Ballkanin Perëndimor, sepse menjëherë pas përqafimit erdhi grushti i Ramës ndaj Kurtit.
Abazi ka shkruar në Facebook se Rama dha intervistë në “Euronews Serbia” duke e goditur nismën e qeverisë Kurti për ta paditur Serbinë për gjenocid.
“Përqafimi që Rama i bëri Kurtit nuk ishte i llojit vëllazëror. Ai ishte përqafim prej boksieri, edhe pse Kurti nuk kishte ardhur aspak për ndeshje me Ramën, por për koordinim kombëtar. Rama i dha, megjithatë, një përqafim prej atyre që boksieri bënë për të marrë pak frymë e për t’u shplodhur, para grushtit të radhës. Dhe grushti erdhi menjëherë pas “përqafimit”, në intervistën për “Euronews Serbia”, ku Rama e goditi nismën e qeverisë Kurti për ta paditur Serbinë për gjenocid në Kosovë”, ka shkruar Abazi.