Këshilltari për sigurinë kombëtare i SHBA-së, John Bolton, njoftoi se ka mbërritur në Emiratet e Bashkuara Arabe për bisedime mbi “çështjet e sigurisë rajonale”.
Bolton tha përmes një postimi në Twitter se ishte “duke pritur me padurim të takohet të mërkurën me aleatët e Emirateve për të diskutuar çështje të rëndësishme të sigurisë rajonale”.
Vizita e Boltonit vjen në kohën e përshkallëzimeve të tensioneve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në Gjirin Persik.
Uashingtoni është një aleat i ngushtë i Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara që janë rivalë rajonalë të Iranit. Uashingtoni fajësoi Teheranin për një sulm ndaj transportuesve të naftës në Gjirin Persik.
Edhe Arabia Saudite ka akuzuar Teheranin për urdhërimin e goditjeve me helikopter në instalimet e saja të naftës. Sulmi u mor përsipër rebelët shiitë Huthi të Jemenit, që kanë mbështetjen e Iranit.
Zyrtarët iranianë kanë mohuar akuzat.
Më parë, më 28 maj, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi tha se Teherani ishte gati të angazhohej në dialog me vendet e rajonit, për të adresuar tensionet e fundit.
Araqchi po fliste gjatë një vizite në kryeqytetin e Katarit, Doha, ndalesa e fundit në një turne që përfshinte Kuvajtin dhe Omanin.
Marrëdhëniet mes Teheranit dhe Uashingtonit kanë rënë ndjeshëm që kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump një vit më parë nxorri Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshjeje bërthamore e vitit 2015 midis fuqive botërore dhe Iranit, që frenoi programin bërthamor të vendit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ekonomike.
SHBA-ja thotë se Teherani po vazhdon me programin e tij bërthamor dhe po përkrahë grupet terroriste në rajon.
Teherani ka hedhur poshtë akuzat e SHBA.