Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, tha se Uashingtoni i ka ndërmarrë të gjitha sanksionet e nevojshme kundër Rusisë për luftën e saj me Gjeorgjinë në vitin 2008.
Bolton u tha gazetarëve në Tbilisi se Shtetet e Bashkuara e mbështesin integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe pavarësinë e saj.
Rusia i mbështet udhëheqjet separatiste në Osetinë e Jugut dhe Abkhazi, të cilat janë ndarë nga kontrolli i Qeverisë qendrore të Gjeorgjisë në fillim të viteve 1990. Moska ka luftuar një luftë pesëditëshe me Tbilisin për këto dy rajone, në gusht të vitit 2008.
Rusia e ka rritur praninë e saj ushtarake atje, pasi i ka njohur dy rajonet si shtete të pavarura.
Por, shumica e vendeve të tjera nuk e pranojnë pavarësinë e tyre dhe ndajnë qëndrimin e njëjtë me Tbilisin se ato janë territore të pushtuara nga Rusia brenda kufijve gjeorgjianë.
Bolton po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara e kanë ftuar presidentin rus, Vladimir Putin, në Uashington dhe shtoi se presidenti amerikan, Donald Trump, do të takojë shkurtimisht Putinin më 11 nëntor, në margjina të disa ngjarjeve në Paris, me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.