Bombolat s’kanë afat të skadimit, mbushen çdo muaj me oksigjen të ri

Prishtinë | 30 Tet 2019 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Oksigjeni që e marrin pacientët për trajtim në Qendrën e Mjekësisë Emergjente në Prishtinë nuk është me afat të skaduar, kanë thënë zyrtarë shëndetësorë të Komunës së Prishtinës. Kjo pasi që sipas tyre, ato bombola mbushen çdo muaj me oksigjen të ri.

“Oksigjeni ka afat deri në tri vite. Nuk ka mundësi që tu japim pacientëve oksigjen të skaduar”, ka thënë për Kohën Ditore drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi.

Një qytetar ka postuar në Facebook fotografinë ku shihet një bombol oksigjeni me afat të skadimit në vitin 2010, në Qendrën e Mjekësisë Emergjente në Prishtinë, nga e cila është furnizuar me oksigjen babai i tij.

“Këtë ia kanë dhënë babës tim, sot e pashë. Nuk e di kush e ka nxjerrë nga depoja se kjo dyshojë që është fshehur e nuk është futur në përdorim, apo s’është kontrolluar fare nga përgjegjësit”, ka shkruar qytetari.

Por, drejtori Gashi ka thënë se tiketat e skadimit nuk vihen më në bombolat e oksigjenit. Sipas tij, kësaj bombole i ka mbetur ajo tiketë e vjetër e skadimit sepse të njëjtat bombola ata i mbushin me oksigjen të ri. “Çdo muaj ne i mbushim bombolat e gazit me oksigjen te ri”, ka thënë ai.

Përveç bombolës së oksigjenit me afat të skaduar qytetari ka shkruar se në Qendrën e Mjekësisë Emergjente nuk ka ngrohje dhe pacientet duhet të mbulohen me batanije (të palara) e me xhaketa personale dimri. Ai ka shtuar se karrocat për bartje të pacientëve janë të dëmtuara dhe ka mungesë të barnave.

“Karrocat për bartje te pacienteve janë te dëmtuara rëndë. Barërat nuk gjenden, pra duhet të blihen(antibiotiket) në 5 barnatoret qe e rrethojnë këtë qendër mjekësore. E vetmja gjë e mire e për t’iu falënderuar është përkujdesja e infermiereve dhe mjekëve”, ka shkruar qytetari në Facebook.

Për këtë drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Bujar Gashi ka thënë se barnat që i ka përmendur qytetari nuk kana qenë asnjëherë në dispozicion për pacientët pasi që s’janë pjesë e Listës Esenciale të barnave.

“Barin që e ka përmend qytetari s’ka pas kurrë në kujdes parësor sepse nuk është pjesë e LE-së, batanijet janë të lara dhe të pastra ato që i kemi në dispozicion sepse të tjera nuk kemi”, ka thënë Gashi.

https://www.facebook.com/gervalla/posts/10156244677861612

Të ngjashme