Mbrojtësi i Milanit, Leonardo Bonucci, ka thënë se skuadra e tij u frikësua gjatë humbjes ndaj Arsenalit në shtëpi në Evropa Ligë.
Golat nga Henrikh Mkhitaryan dhe Aaron Ramsey i dhanë fitoren skuadrës së Arsene Wengerit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Evropa Ligës të zhvilluar të enjten mbrëma në “San Siro”, transmeton Express.
Mbrojtësi italian beson se frika tek lojtarët e rinj të Milanit ka ndikuar në këtë humbje.
“Nuk u futem me mendësinë e duhur nga fillimi”, ka thënë Bonucci për Sky Sport Italia, duke shtuar: “U frikësuam paksa meqë jemi shumë të rinj. Shpresoj se do të mësojmë nga kjo”.
Ai insiston se Milani i Gennaro Gattusos, që mbrëmë e pësoi humbjen e parë pas 13 ndeshjeve, do të përpiqet ta përmbysë këtë rezultat në ndeshjen e kthimit në Londër.
“Është e vështirë por na duhet të tentojmë [në ndeshjen e kthimit]. Çdo gjë mund të ndodhë në futboll, prandaj duhet të jemi pozitiv”, shtoi ai.