Partitë politike në Kosovë, të cilat vijnë në pushtet, në vazhdimësi kanë emëruar anëtarë të partive të tyre në bordet e ndërmarrjeve publike, duke iu shkaktuar dëme të mëdha dhe duke i politizuar ato, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.
Marrëveshjet për ndarjen e posteve në ndërmarrjet publike, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, bëhen edhe përmes marrëveshjeve të partive politike për koalicione qeverisëse.
Agron Demi, analist i politikave në Institutin për Hulumtime të Avancuara GAP, thotë për Radion Evropa e Lirë, se bordet e ndërmarrjeve publike kanë qenë të politizuara që nga momenti kur këto ndërmarrje kishin kaluar nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë.
“Në fund të vitit 2008, qeveria e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës, pati vendosur pothuajse në të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike militantë të koalicionit qeverisës me një shumicë të PDK-së. Atëherë kishte intervenim të ndërkombëtarëve dhe ishin bërë disa ndërrime të vogla, por politizimi kishte vazhduar deri në qeverisjen e cila është në largim”, thekson Demi.
Procesi i emërimit të anëtarëve të bordit, sipas Ligjit, duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës.
Por, të gjitha këto procedura thotë, Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, nuk janë përfillur.
Demhasaj thotë për Radion Evropa e Lirë se në bazë të hulumtimeve që organizata e tij i ka bërë është vënë në pah se në ndërmarrjet publike janë emëruar ‘militantë të partive politike të cilat kanë qenë të pushtet’.
“Se si duhet të rregullohet kjo çështje? Kjo bëhet vetëm nëse në legjislaturën e ardhshme bëhet një ligj i cili rreptësisht e ndalon që njerëz që kanë pasur të kaluar politike dhe që janë pjesë e këtyre strukturave t’u pamundësohet të vinë në pozicione të tilla”.
“Përndryshe nëse do të vazhdojë të mbetet në vullnetin e partive politike që janë në qeveri, që të mos emërojnë njerëzit e tyre nëpër borde, kjo nuk do të ndalet asnjëherë pasi që partitë politike i shohin këto ndërmarrje si mundësi për punësim të militantëve të tyre në ato borde. Përmes atyre njerëzve arrijnë të kontrollojnë këto agjenci dhe kompani publike”, thekson Demhasaj.
Në anën tjetër, Agron Demi, analist i politikave në Institutin për Hulumtime të Avancuara GAP, thotë se vetëm qeveria e cila është në largim kishte zëvendësuar mbi 80 anëtarë të bordeve e të cilat u ndanë në mënyrë të barabartë nga partnerët e koalicionit.
Demi thotë se si shoqëri civile kishin evidentuar shkelje të ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe kishin kërkuar në vazhdimësi ndalimin e praktikës së shkeljes së ligjit dhe anulimin e vendimeve të paligjshme.
Kjo praktikë e emërimit të njerëzve të partive politike në këto ndërmarrje publike shton Demi, fatkeqësisht do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Tani kemi hyrë në zgjedhje të reja ku priten koalicione të reja qeverisëse dhe është shumë e mundur që pjesë e atyre koalicioneve përveç posteve qeveritare të përfshihen edhe ndërmarrjet publike, pasi që në këtë formë pritet që të arrijnë të krijojnë koalicione qeverisëse duke krijuar vende të punës apo pozita të reja të punës për militantët e tyre partiak, e që vetëm në ndërmarrjet publike mund të sistemohen diku rreth 200 anëtarë të partive”, thekson Demi.
Vendet më të preferuara për punësim në Kosovë vazhdojnë të mbesin bordet e ndërmarrjeve publike për shkak të vlerës së lartë të pagave dhe përfitimeve të tjera. Në çdo konkurs, numri i aplikuesve është shumë i madh.