Komisioni për Buxhet dhe Transfere, ka shqyrtuar raportin vjetor financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2019, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Bordit të RTK-së Sali Bashota, tha se kanë pasur probleme në marrjen e vendimeve për shkak të mungesë së kuorumit.
Sipas tij, RTK-ja punon në kushte jo të mira infrastrukturore.
“Raporti reflekton të gjitha aktivitetet e një periudhë kur Bordi ka pasur vetëm 7 anëtar nga 11 që është dashur t’i ketë. S’ka pasur as menaxhmentin e plotë”.
“Mendoj që është një raport transparent. Kemi pasur probleme me marrje vendimesh për shkak të mungesës së kuorumit. RTK-ja punon në kushte jo të mira infrastrukturore”.
“Mendoj që RTK ka paraqitur të gjitha transaksionet me të hyrat dhe shpenzimet për vitin 2019”.
Deputeti Veton Berisha ka thënë se komuniteti egjiptian ka një program vetëm në vikend në kohën kur nuk ka shikueshmëri.
“Lus Bordin e drejtorin që komuniteti egjiptian të ketë redaksinë e vet. Kërkojmë më shumë hapësirë që çështjet tona të kenë zgjidhje”, ka thënë mes tjerash Berisha.
Kryesuesi i Komisionit Hekuran Murati nuk e ka parë të papranueshme raportin e RTK-së.
Murati ka thënë se në RTK janë rreth 900 punëtorë, por ka shpenzime shumë të larta për blerje të programeve.
Sipas tij, 117 punonjës në RTK kanë paga mbi një mijë euro në muaj.
“Menaxhim skandaloz financiar dhe nuk di si mund të quhet raporti apo menaxhimi i mirë. Me të gjitha këto unë nuk mendoj që duhet të votohet apo të rekomandohet për votim ky raport sepse nuk i plotëson kriteret”.
“Në raportin e dorëzuar në Kuvend, theksohet se shpenzimet për program për vitin 2019 ishin 3 milionë e 676 mijë euro, apo rreth 50 mijë më shumë se planifikimet”.
Drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati ka thënë se në aspektin e shpenzimit të parasë publike do të mundohet që të ketë kujdes gjatë mandatit të tij.
Sipas tij, të gjitha shpenzimet ishin të planifikuara.
“Jemi munduar në mënyrën më të mirë të mundshme të menaxhojmë me paranë publike. Ajo që mendoj unë është se jam munduar që ta stabilizojmë gjendjen financiare dhe te kjo pikë besoj ia kemi arritur”.
Në këtë komision ka dështuar votimi në parim i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021, për shkak të mungesës së kuorumit.