Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për RTK-në nuk është miratuar nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.
Kjo u bë për arsye se grupi punues i cili ishte përgjegjës për përgatitjen e këtij ligji nuk u pajtuan për dy pika, e që janë mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të bordit dhe ndryshimi i numrit të këtyre anëtarëve.
Kryetarja e Komisionit, Xhevahire Izmaku, tha se me ligjin e ri parashihet që bordi i mediumit të vetëm publik të zvogëlohet, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se edhe mënyra e zgjedhjes do të pësojë ndryshime, andaj kërkoi që miratimin i tij të shtyhet për mbledhjen e radhës.
“Kemi pas ngecje në atë se në çfarë mënyre do të bëhet zgjedhja e Anëtarëve të Bordit. Do të ndryshojë edhe numri i anëtarëve të bordit që do të thotë se do të zvogëlohet”, tha ajo Izmaku.
Deputetja e VV-së, Shqipe Pantina e cila është pjesë e grupit punues tha se rreth këtyre dy pikave nuk janë dakorduar me anëtarët e grupit pavarësisht punës të cilën e kanë bërë.
“Janë dy çështje për të cilat nuk kemi rënë dakord si grup punues edhe ndoshta duhet me shty për mbledhjen e radhës, e ndoshta edhe këta mundet me ardhur me ndonjë propozim të radhës. Nuk kemi gjet definim të saktë se si kish me adresuar në mënyrën më të mirë me atë çështje”, ka thënë Pantina.
Edhe anëtarët e tjerë ishin të pajtimit që ky diskutim të shtyhet për mbledhjen e radhës dhe të vijnë me ide dhe projektligj të kompletuar.