Në një kohë kur raportimi nga media e pavarur dhe e lirë është më e rëndësishme se kurrë, liria e medias është ende e kërcënuar, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell me rastin e Ditës së Lirisë Botërore të Shtypit – 3 maj.
“Gazetarët vazhdojnë të përballen me kushte të vështira të punës me presion të shtuar financiar dhe politik, mbikëqyrje, burgim arbitrar ose dhunë për të bërë punën e tyre,” sipas një deklarate të postuar në faqen e internetit të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS).
Sipas të dhënave të Observatorit të UNESCO-s, 76 gazetarë janë vrarë në të gjithë botën që nga viti 2020, ndërsa shumë janë arrestuar, ngacmuar ose kërcënuar.
“Veçanërisht shqetësuese është dhuna me bazë gjinore ndaj gazetarëve,” tha Borrell në një deklaratë.
Liria e medias dhe siguria e gazetarëve janë përparësitë kryesore të Planit të ri të Veprimit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokraci si dhe të Planit të Veprimit për Demokracinë Evropiane.
BE ka ndërmarrë një veprim të rëndësishëm për të mbështetur gazetarët, mediat e pavarura dhe luftën kundër keqinformimit në kontekstin e një pandemie në shumë rajone, thuhet në deklaratë.
“Liria e informacionit dhe fjala e lirë duhet të promovohen dhe mbrohen kudo. Është në interesin e të gjithëve. BE do të vazhdojë të flasë kundër çdo kufizimi mbi lirinë e shprehjes dhe censurës, qoftë në internet ose jashtë linje, që shkelin ligjin ndërkombëtar,” tha Borrell.
“Liria e medias dhe shtypit është një gur themeli i shoqërive demokratike që mund të lulëzojnë vetëm nëse qytetarët kanë qasje në informacion të besueshëm dhe mund të bëjnë zgjedhje të informuara. Liria e medias do të thotë siguri për të gjithë,” përfundoi Borrell.
Ndryshe, nesër shënohet 3 Maji – Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, e cila shërben për t’ua përkujtuar qeverive nevojën e respektimit të përkushtimit të tyre për lirinë e shtypit dhe po ashtu është një ditë reflektimi në mesin e profesionistëve të mediave për lirinë e shtypit dhe etikën profesionale.
Sipas organizatës “Reporterët pa Kufij” mbi gjendjen e lirisë së mediave për 2020, Kosova renditet në vendin e 70-të në botë dhe qëndron më mirë krahasuar me disa vende të rajonit.
Me rastin e shënimit të kësaj dite, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) do të mbajë një konferencë për media dhe një tryezë diskutimi.
Tema e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit këtë vit është “Blackout May”, që shërben si përkujtues se si do të dukej një ditë pa media.
3 maji është po ashtu dita e përkujtimit të atyre gazetarëve që e kanë humbur jetën në ndjekje të së vërtetës dhe raportimit profesional.