Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka deklaruar sot se Bashkimi Evropian pret nga Qeveria e re serbe të ndërmarrë me shpejtësi reformat urgjente të nevojshme për pranimin e Serbisë në BE. Ai ka thënë se BE nuk është në garë me Amerikën se kush do të jetë i pari që do ta zgjidhë çështjen e Kosovës.
Siç raportojnë mediat, kryediplomati evropian, ka shfaqur pritjet e tij për një angazhimin e plotë të Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE, si dhe në bashkëpunimin rajonal.
“BE është plotësisht i përkushtuar që të vazhdojë të mbështesë procesin e pranimit të Serbisë në BE, si dhe rimëkëmbjen ekonomike pas krizës së coronavirusit, duke përfshirë përmes Planit Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor në vjeshtë”, ka thënë Borrell, transmeton Telegrafi.
Borrell ka këmbëngulur që BE-ja duhet të luajë një rol vendimtar sepse ajo e Serbisë dhe Kosovës është një problem që është në mjedisin e afërt të bllokut Evropian.
“Nëse ne nuk mund ta zgjedhim çështjen (problemin) Kosovë-Serbi, që janë fqinj tanë dhe i takon kapaciteteve tona, atëherë ne nuk mund të pretendojmë që jemi faktor gjeopolitik. Ne nuk jemi në garë me Amerikën se kush do të jetë i pari që do ta zgjidhë çështjen e Kosovës, të paktën unë nuk jam në garë me ta. Nëse Amerika mund t’i bëjë dy palët bashkë, në Shtëpinë e Bardhë ose kudo, unë do të isha më shumë se i lumtur”, ka thënë Borrell.