Borrell para takimit Kurti – Vuçiq: Kosova dhe Serbia duhet ta mbyllin kapitullin e të kaluarës

Prishtinë | 19 Kor 2021 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia t’i qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike raundit të ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Borrell, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak sot ndërmjetësojnë takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai tha se sot do të vazhdohen bisedime për përparimin e arritur deri më tani dhe “për hapat përpara nesh dhe për mënyrën se si do ta vazhdojmë këtë dialog”. Borrell shtoi se shpreson që ky takim të jetë më i frytshëm, sa i përket rezultateve, sesa takimi i parë, që u mbajt në qershor.

“Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shikojmë përpara”, tha Borrell para takimit.

Para takimit trepalësh, palët kanë zhvilluar takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Mëngjesin e sotëm zhvillova takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të përgatitur takimin e nivelit të lartë të dialogut që mbahet këtë pasdite”, shkroi Lajçak në Twitter.

Ky do të jetë takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit. Takimi i parë mes tyre u zhvillua më 15 qershor, kur procesi i dialogut, i cili u ndërpre në shtator të vitit 2020, zyrtarisht rifilloi.

Takimi i parë tregoi se palët kishin dallime të mëdha, megjithatë të dy zyrtarët u pajtuan që të vazhdojnë takimet.

Siç njoftoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, bisedimet midis Kurtit dhe Vuçiqit do të përqendrohen në përparimin e arritur si dhe për hapat e mëtejmë në procesin e dialogut.

Beogradi zyrtar insiston që Prishtina të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, Prishtina zyrtare ka theksuar se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi. Kosova, në këtë drejtim, veçmas ka përmendur marrëveshjen për kontrollin e kufirit, atë për njohjen e diplomave, për certifikatat e mallrave, lirinë e lëvizjes si dhe marrëveshjen për fusnotën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq javën e kaluar tha se delegacioni serb po shkon në këtë takim në Bruksel me “besimin më të madh” , por shtoi se nuk ishte i sigurt nëse përparimi është i mundur.

Ky do të jetë takimi i fundit i nivelit të lartë në kuadër të dialogut për pjesen e parë të këtij viti, pasi në institucionet evropiane zyrtarisht nis sezoni i pushimeve verore.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në mars të vitit 2011, fillimisht në nivel teknik.

Në tetor të vitit 2012, ky proces kaloi nga niveli teknik në atë politik, kur kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq nisën negociatat.

Në prill të vitit 2013, palët arritën Marrëveshjen e Brukselit, por shumica e marrëveshjeve që janë pjesë e saj, ende nuk janë zbatuar. Kosova heziton që ta zbatojë Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit për shkak se kjo marrëveshje, nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës ishte thënë se nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik të Kosovës.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Të ngjashme