Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka bërë të ditur se i ka thirrur për një takim urgjent në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të gjetur një rrugëdalje për situatën e tensionuar.
Nëpërmjet një njoftimi në Twitter, Borrell ja thënë se është nevojë urgjente për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri të Kosovës.
“I kam thirrur liderët e Serbisë dhe Kosovës në Bruksel për takime urgjente për të gjetur rrugën e daljes nga kriza aktuale. Ne kemi nevojë për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Kjo është parësore për rajonin dhe BE-në”, ka shkruar Borrell.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga 26 maji. Atë ditë, serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.
Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.
Kurti, ndërkaq, ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhje. Megjithatë, ai ka thënë se për t’u mbajtur zgjedhje të lira në veri, nevojitet shtet ligjor.
I have called the leaders of Serbia @predsednikrs & Kosovo @albinkurti to Brussels for urgent meetings to find the way out of the current crisis
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) June 22, 2023
We need immediate de-escalation & new elections in the north with participation of Kosovo Serbs. This is paramount for the region & EU