Borxhi i përgjithshëm i shtetit të Kosovës konsiderohet më i ulëti në rajon dhe më gjerë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi total i Republikës së Kosovës është 842 milionë euro, prej të cilave, 473 milionë euro është borxh i brendshëm, kurse 368 milionë euro i përket borxhit ndërkombëtar.
Borxhi i përgjithshëm është tërësia e borxhit shtetëror dhe komunal. Ky borxh merret në emër të institucioneve qendrore qeveritare, të cilin Republika e Kosovës është e obliguar ta paguajë.
Ekspertë për çështje ekonomike, thonë se Kosova ka nivel të ulët të borxhit, çka mundëson hyrje në borxhe të reja të cilat mund të shfrytëzohen për projekte kapitale.
Drejtori i hulumtimeve në Institutin Riinvest, Alban Hashani, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës në të ardhmen ka mundësi që të shfrytëzon edhe borxhe të reja të cilat mund të përdoren për financimin e projekteve që kanë leverdi ekonomike.
“Unë mendoj se borxhin publik Kosova mundet ta shfrytëzojë për projekte të cilat kanë efekte afatgjata edhe të cilat kanë kthim më të madh ekonomik dhe social dhe që mundësojnë që edhe sektorët tjerë të kenë përfitime nga këto projekte”.
“Pra, projekte të mëdha në infrastrukturë, në energji, ose projekte të ngjashme të cilat kanë mundësi më pas të kthehen në investim. Si rrjedhojë, në kthimin e këtyre investimeve, jo vetëm të shlyhet borxhi, por të ndihet edhe vlera e investimeve në masë të madhe tek njerëzit”, thekson ai.
Se Kosova ka nivel të ulët të borxhit, por gjithashtu edhe kapacitet të ulët për kthim, flet edhe Samir Krasniqi, ish drejtor në Odën Ekonomike Gjermane.
Ai thotë se autoritetet kompetente duhet të analizojnë projekte për të financuar nga borxhet e mundshme ndërkombëtare, por jo për infrastrukturë rrugore. Sipas tij, duhet pasur shumë kujdes për borxhin e huazuar.
“Shtrohet gjithmonë pyetja se me borxhin që e merr çfarë bën; a gjeneron rritje ekonomike, a gjeneron vende të reja të punës? Nuk guxojmë asnjëherë, që me borxhin publik të mbulohen deficitet buxhetore”.
“Borxhet që merren duhet të futen në investime kapitale. Edhe njëherë po them, jo për të shtruar rrugë, por për investime të tilla që ndikojnë në rritjen ekonomike, gjenerojnë vende të reja të punës”, thotë Krasniqi, për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe, përqindja e borxhit ndaj Bruto Prodhimit Vendor është vetëm 14 për qind, kurse sipas Ligjit për Borxhet Publike, thuhet se në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.
Samir Krasniqi, shprehet se borxhi i përgjithshëm i shteteve të rajonit kalon vlerën prej 40 për qind. Kosova ka hapësirë që të rrisë këtë përqindje, por me kujdes jashtëzakonisht të shtuar.
“Ne e kemi të përcaktuar deri në 40 për qind, por vendet e rajonit shkojnë edhe deri në 70 për qind. Pra, Kosova ka hapësirë këtu, por duhet pasur shumë kujdes, për çfarë arsye merret borxhi”.
“Gjithmonë në rritjen e borxhit duhet pasur kujdes edhe për një arsye tjetër, sepse marrja e borxhit tejkalon afatet kohore të qeverisjes. Do të thotë, çdo borxh i lenë barrë qeverive tjera apo gjeneratave tjera”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq , Alban Hashani nga Instituti Riinvest, thotë se vendet e ndryshme kanë nivele të ndryshme të borxhit të përgjithshëm.
“Ka vende që janë shumë të zhvilluara dhe kanë borxhe më shumë se qind për qind, pra se Bruto Prodhimi Vendor. Mirëpo ka vende që kanë pasur borxhe të mëdha publike dhe janë futur në telashe makro-fiskale, siç është Greqia”.
“Fatmirësisht, Kosova e ka nivelin e ulët të borxhit publik, mirëpo mundësitë për tu shfrytëzuar ky borxh duhet të analizohen në atë mënyrë që kthimi të jetë sa më i madh”, shprehet Hashani.
Me gjithë faktin se borxhi i përgjithshëm prej rreth 850 milionë euro, vlerësohet i ulët, kjo shumë ndër vite ka shënuar rritje të dukshme. Në vitin 2012 vlera e borxhit të përgjithshëm ka qenë 409 milionë euro, kurse vitin e kaluar ka arritur në rreth 750 milionë euro.