Boshnjaku i Bundestagut shkon në Sarajevë dhe Beograd me porosinë për mosndryshim të kufijve

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Raportuesi për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Adis Ahmetoviq, sot do të udhëtojë për në Beograd dhe Sarajevë në një vizitë pesëditore me porosinë që kufijtë ekzistues të mos preken dhe të ruhet stabiliteti në rajon.

Ahmetoviq, i cili është edhe anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme të Gjermanisë, do të flasë edhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Pjesë të elitës politike në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë, si dhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, po kontribuojnë në mënyrë aktive në fragmentimin dhe destabilizimin e mëtejshëm të rajonit dhe duke siluruar përpjekjet për të krijuar një demokraci të fortë dhe pluraliste. Mendimet e bëra publike për vizatimin e kufijve të rinj në vijat etnike duhet të jenë shenja paralajmëruese. Ky etnonacionalizëm duhet të ndalet”, tha deputeti socialdemokrat i Bundestagut, në një komunikatë të lëshuar për media.

“Ne duhet urgjentisht të thyejmë spiralen e minimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Kjo qasje është shqetësuese dhe paraqet rreziqe të rëndësishme të politikës së jashtme dhe të sigurisë për BE-në”.

Në këtë kontekst, socialdemokrati e sheh Gjermaninë me një rol të veçantë.

“Kemi nevojë për një fillim të ri në politikën e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor. Përndryshe do të rritet ndikimi i forcave kufizuese si nga Rusia, Kina apo Hungaria”.

“Në vend të krijimit të ndarjeve etnike, të gjitha forcat duhet të punojë bashkë drejt një të ardhme të fortë për rajonin. Gjeneratat e reja duhet të targetohen për të bërë diçka. Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka shumë për të kontribuar në aspektin kulturor, historik dhe ekonomik në të ardhmen e përbashkët evropiane. Prandaj, BE-ja dhe Gjermania vazhdojnë të qëndrojnë pas premtimit për një perspektivë të sigurt të anëtarësimit në BE për shtetet e Ballkani Perëndimor”.

Në Serbi, Ahmetoviq do të takojë presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ministra dhe shoqëri civile. Derisa në Bosnjë e Hercegovinë, Ahmetoviq do të takohet me anëtarin e Presidencës, Zhelko Komshiq dhe zyrtarë të tjerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme