Italia është vendi më i prekur në botë nga koronavirusi. Ky fakt ka bërë që disa shtete të solidarizohen me të. Pas Kinës, ndihmë i kanë ofruar edhe Rusia dhe Kuba.
Vendi komunist nga Amerika Veriore ka vendosur ta dërgojë një ekip të mjekëve dhe infermierëve për herë të parë në Itali për të ofruar ndihmë në betejën kundër koronavirusit. Kjo ndihmë erdhi pas kërkesës për ndihmë nga rajoni i Lombardisë, i cili është goditur më së rëndi.
Kuba e ka një traditë të dërgimit të mjekëve në mbarë botën në rast të fatkeqësive që nga revolucioni i vitit 1959. Zakonisht, mjekët kubanë shkojnë në vendet më të varfra. Ata ishin në vijën e frontit gjatë luftës kundër kolerës në Haiti dhe virusit Ebola në Afrikën Perëndimore dekadën e kaluar.
Sidoqoftë, kjo është hera e parë që Kuba dërgon mjekë në njërin prej vendeve më të pasura të botës, në Itali, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Ky është grupi i gjashtë i mjekëve kubanë që dërgohet jashtë vendit për të ofruar ndihmë. Kuba më herët ka dërguar mjekë edhe në Venezuelë, Nikaragua, Xhamajkë, Surinam dhe Grenadë.
Italia ka marrë ndihmë edhe nga Rusia. Presidenti Putin ka urdhëruar që në Itali të dërgohen pajisje dhe medikamente mjekësore.