Prezantimi i risisë në futboll është bërë gjatë Workshop-it që FIFA po zhvillon në Sochi.
VAR nuk do të jetë vetëm në dispozicion të arbitrave. Duke nisur prej Botërorit 2018 në Rusi, ai do të përhapet edhe për mjekët. Zyrtarizimi i vendimit pritet të bëhet më 3 mars, ndërsa të gjitha përfaqësueset pjesëmarrëse do të kenë një doktor që do ta ndjekë garën në monitor dhe do të ketë mundësi që të rishohë duelet e lojës, për të vlerësuar në kohë rekord shkallën e dëmtimit.Konfirmimi u dha nga presidenti i komisionit mjekësor të FIFA-s, Michel D’Hooghe, sipas të cilit mundësia për të bërë një diagnozë të menjëhershme mund të jetë shumë e vlefshme, mbi të gjitha në rastet e përplasjeve në kokë.
Prezantimi i risisë në futboll është bërë gjatë Workshop-it që FIFA po zhvillon në Sochi, në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjitha skuadrave të kualifikuara në fazën finale të Kupës së Botës. Vëzhgimi me detaje i përplasjeve nëpërmjet imazheve filmike mund t’i ndihmojë mjekët nëse një futbollist mund të qëndrojë apo jo në fushë, transmeton “SuperSport.al”.
Sistemi i ri do të quhet “Video Assistant Replay Medical” dhe do të frymëzohet nga modeli i ragbi-t, sport në të cilin u përdor pas shumëfishimit të tronditjeve të sportistëve në kokë, shpejtësisë së aksioneve dhe intensitetit të përplasjeve. Përdorimi i imazheve video i erdhi në ndihmë jo vetëm arbitrave, por edhe stafit mjekësor të skuadrave.