Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka e Shqipërisë kanë organizuar Ekspozitën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”.
Ekspozita është pjesë e agjendës shtetërore të organizuar nga Komisioni Qeveritar për vitin mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe do të jetë e hapur nga data 10 deri më 12 qershor 2018 në Muzeun e Lidhjes së Prizrenit në Prizren.
Guvernatori i BQK-së,Fehmi Mehmeti, i cili bëri hapjen e ekspozitës, së bashku me Altin Tonkon, nga Banka Qendrore e Shqipërisë, shpjegoi për Ekonomia Online se ekspozita përmban thesar numizmatik nga të dy shtetet Kosova dhe Shqipëria, kryesisht monedha të përdorura në trojet shqiptare gjatë etapave të ndryshme duke filluar nga shekulli I para Krishtit e deri në ditët e sotme.
“Krahas thesarit numizmatik do të prezantohen edhe tekste historike, imazhe historike dhe produkte të edukimit financiar të të dyja bankave qendrore, duke prezantuar kështu një shkrirje mes numizmatikës, historisë dhe edukimit”, tha Mehmeti.
“Bashkëpunimi mes dy institucioneve ka qenë i shkëlqyer dhe në mënyrë që të përcjellim mesazhin e kësaj ngjarjeje historike, këtë vit bashkërisht kemi vendosur që t’i bashkëngjitemi shënimit të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili përkon me 550-vjetorin e vdekjes së tij dhe 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me këtë rast Banka Qendrore, në koordinim me Muzeun e Kosovës dhe Bankën e Shqipërisë, dhe objekti i Lidhjes së Prizrenit si nikoqir, në këtë ambient të bukur po hapim ekspozitën ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’, ku janë të ekspozuara monedha dhe kartëmonedha shqiptare në pjesën të cilat janë përdorur edhe në Kosovë gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore”, ka shtuar ai.
“Gjithashtu janë të ekspozuara edhe monedhat nga kohërat antike të periudhës pararomake, romake dhe të periudhës mesjetare. Krejt kjo tregon se në trevat tona që nga lashtësia ka qenë e zhvilluar sistemi financiar për të cilat dëshmi janë monedhat e përdorura gjatë periudhave të ndryshme kohore”.
Kreu i BQK-së ftoi të gjithë qytetarët që të vizitojnë këtë ekspozitë e cila po organizohet për herë të parë dhe do të ejtë e hapur deri më 12 qershor.
“Krahas thesarit numizmatik do të prezantohen edhe tekste, imazhe historike dhe produkte të prodhimit financiar të të dyjave Bankave Qendrore, duke prezantuar kështu një shtrirje mes numizmatikës, historisë dhe edukimit”, theksoi guvernatori Mehmeti.
Altin Tonko nga Banka Qendrore e Shqipërisë, po ashtu, e vlerësoi me rëndësi të veçantë hapjen e kësaj ekspozite pasi përkujton ngjarje të mëdha për kombin shqiptar, siç është 550-vjetori i vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeu dhe përvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
“Ekspozita sjell për publikun kosovar një pjesë të historisë monetare shumë të rëndësishme të historisë monetare financiare të vendeve tona, e cila shtrihet që nga periudhat e lashta e deri në ditët e sotme”, tha Tonko.
“Figura e Skënderbeut është një figurë mjaft e rëndësishme e cila shtrihet dhe gjen vendin e vet në monedhën kombëtare pavarësisht periudhave historike apo ndonjë sistemi ekonomik që kanë ekzistuar në territoret shqiptare”.
Tonko theksoi se në ekspozitë shfaqen dhe monedha që përkujtojnë Kongresin e Manastirit, një ngjarje po ashtu e rëndësishme për historinë shqiptare.