Ndryshimi, përkatësisht shtrenjtimi i konsiderueshëm i kostos së mirëmbajtjes së llogarisë biznesore dhe private nga ProCredit Bank, pa i njoftuar paraprakisht klientët, për Bankën Qendrore të Kosovës është i papranueshëm.
Kjo për faktin se sipas rregullativave të këtij institucioni, bankat në Kosovë e kanë për obligim që klientët t’i njoftojnë me kohë për ndryshimet e tarifave të cilat janë të përcaktuara sipas kontratës.
Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Besnik Kada në një përgjigje për AktivPress ka deklaruar se në bazë të rregullores së BQK-së për normën e interesit përcaktohet kërkesa nga bankat që tarifat për shërbimet e tyre të jenë të lidhura me koston e ofrimit të shërbimit dhe të jenë çdo herë transparente ndaj klientëve.
“Rregullorja për normën efektive të interesit dhe kërkesat për shpalosje përcakton se BQK kërkon nga bankat që tarifat për produktet dhe shërbimet bankare të jenë të lidhura direkt me koston e ofrimit të këtyre produkteve dhe shërbimeve dhe se ato duhet të shpalosen në mënyrë të dukshme dhe duhen të jetë në dispozicion për të gjithë klientët e interesuar. Me rastin e krijimit të marrëdhënies në mes bankës dhe klientëve, banka ka për obligim që t’i njoftoj ata për të gjitha tarifat të përcaktuara sipas rregullores së lartëcekur”, thuhet në përgjigjen e Kadës.
Prej 1 qershorit të këtij viti ProCredit Bank, ka vendosur që pa i njoftuar paraprakisht klientët të bëjë rritje të shërbimeve për mirëmbajtje të llogarive bankare.
Zyrtarë të bankës kanë konfirmuar për AktivPress se tashmë ksotoja e shërbimeve për mirëmbajtje të llogarisë biznesore të shtrenjtohet nga 1.00€ në 5.00€ në muaj, ndërsa për llogaritë private nga 0,70 € në 2.00 € në muaj.
Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada ka deklaruar për AktivPress se deri më tani nuk kanë pranuar ankesa nga klientët të ProCredit Bank për këtë ndryshim të kostos, megjithëse ka shtuar se Banka Qendrore e Kosovës bën ekzaminime të vazhdueshme tek institucionet financiare dhe në rast të shkeljeve të rregulloreve do të marrë masa.
“Në Divizionin e Ankesave nuk kemi pranuar ankesa nga klientët e PCB lidhur çështjen në fjalë. BQK bënë ekzaminime të rregullta tek institucionet financiare dhe në rast të shkeljeve, konform rregullativës në fuqi dhe kompetencave që ka, merr masa të mëtutjeshme”, ka thënë zëdhënësi i BQK-së.
Ndërkaq, drejtori i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku e ka quajtur shkelje flagrante të të drejtave të konsumatorit, vendimin e bankës ProCredit që të rrisë konsiderueshëm koston e mirëmbajtjeve të llogarive biznesore e private, pa i njoftuar klientët e saj.
“Përkundër faktit se organet sistemit të drejtësisë siç janë gjyqësia, policia e prokuroria, kanë obligim ligjor që të reagojnë, këtë nuk e bëjnë. I gjithë sistemi është i kapur, siç po thonë disa. Dhe për fat të keq mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve dhe taksapaguesve çdo herë e më shumë është me pakët, më e vobektë dhe e ulët”, kishte deklaruar Kaçaniku.