BQK jep detaje për takimin e guvernatorit me ambasadorin Hovenier për rregulloren e re

Prishtinë | 29 Jan 2024 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Dardan Fusha, e mirëpriti në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe Udhëheqësin e Sektorit Ekonomik, Micah Savidge, të cilët i njoftoi me zhvillimet kryesore në sistemin financiar, avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, aktivitetet që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë dhe integritetin e sistemit financiar, zbatimin e objektivave dhe Planin e ri Strategjik 2024-2028 të BQK-së.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Ismaili ka sqaruar aspektet kryesore që trajton Rregullorja e re për Operacionet me Para të Gatshme dhe efektet e saj, duke argumentuar dhe sqaruar pozicionin e saj.

Avancimi i kornizës rregullative për luftimin e dukurisë së parave të falsifikuara dhe furnizimit të rregulluar e transparent të ekonomisë me para të gatshme, që kontribuojnë në ruajtjen dhe rritjen e integritetit të sistemit financiar dhe vet valutës Euro, ishin ndër temat kryesore të këtij takimi informues.

Guvernatori Ismaili ka përmendur edhe ndryshimet tjera legjislative të miratuara nga BQK-ja bazuar në planin e saj, që së bashku me këtë Rregullore kanë për synim adaptimin e praktikave më të mira që lidhen me ruajtjen e integritetit të valutës Euro dhe sistemit financiar në përgjithësi.

Në linjë me këto ndryshime, u potencua nevoja që të ketë një komunikim sa më efektiv dhe të fokusuar lidhur me ndikimet e mundshme dhe kufizimet e kësaj Rregulloreje, si dhe mundësitë ekzistuese ligjore për qasje në shërbime të sigurta financiare.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për mundësitë ekzistuese, alternativat dhe qasjen në financa përmes kanaleve të ndryshme financiare të licencuara për operim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Guvernatori i BQK-së e njoftoi secifikisht se vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së.

Për më tepër, u sqarua se Rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK. Andaj, të gjithë individët, kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në Euro, përmes kanaleve të ndryshme ligjore.

Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në Euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet. Ndërsa ata që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024.

Guvernatori Ismaili, theksoi se bashkëpunimi dhe njohja e partneritetit dhe mbështetjes së vendeve partnere, të kryesuar nga SHBA-ja, së bashku me shtetet e tjera mike dhe institucionet financiare ndërkombëtare, qëndron në themelet e BQK-së, si institucion i pavarur kushtetues që duhet të respektohet nga të gjitha palët për të arritur objektivat e saj ligjore.

BQK-ja mbetet e vendosur për avancimin e kornizës ligjore dhe mbikëqyrëse në zbatimin e mandatit të saj kushtetues dhe se mbetet e përkushtuar që të vazhdojë me aktivitete informuese dhe vetëdijësuese për publikun.

Të ngjashme