Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar Raportin Vjetor për vitin 2025, në të cilin vlerësohet se ekonomia e Kosovës dhe sistemi financiar kanë ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë, pavarësisht sfidave nga mjedisi ekonomik dhe gjeopolitik ndërkombëtar.
Sipas raportit, ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2025 shënoi rritje reale prej 3.6 për qind, ndërsa inflacioni arriti në 3.9 për qind. Borxhi publik mbeti në nivel të ulët, në 16.4 për qind të Bruto Produktit Vendor, ndërsa remitencat dhe investimet e huaja direkte vazhduan të mbështesin aktivitetin ekonomik.
BQK njofton se sektori financiar vazhdoi zgjerimin e qëndrueshëm, me asete që arritën në rreth 14.6 miliardë euro. Sektori bankar ruajti nivele të larta të kapitalizimit dhe likuiditetit, ndërsa kreditë u rritën në rreth 6.7 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 14.7 për qind. Norma e kredive joperformuese mbeti rreth 2 për qind, duke reflektuar cilësi të lartë të portofolit kreditor.
“Raporti konfirmon se ekonomia e Kosovës dhe sistemi financiar kanë ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e tyre, pavarësisht sfidave nga mjedisi i jashtëm ekonomik dhe gjeopolitik. Ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2025 shënoi rritje reale prej 3.6%, ndërsa inflacioni arriti në 3.9%. Borxhi publik mbeti në nivel të ulët prej 16.4% të Bruto Produktit Vendor, ndërsa remitencat dhe investimet e huaja direkte vazhduan të mbështesin aktivitetin ekonomik”, thuhet në raport.
Gjatë vitit 2025, BQK bëri të ditur se forcoi më tej kornizën makroprudenciale, përfshirë shtesat makroprudenciale të kapitalit dhe avancimin e sistemit të sigurimit të depozitave. Institucioni realizoi gjithashtu 30 ekzaminime në vend në sektorin bankar, të sigurimeve, pensioneve dhe institucionet mikrofinanciare e jobankare, me fokus në menaxhimin e rreziqeve, qeverisjen korporative, sigurinë kibernetike dhe harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Në fushën e pagesave, raporti evidenton progres të rëndësishëm drejt digjitalizimit. Sistemi Ndërbankar i Pagesave (KIPS) procesoi mbi 21 milionë transaksione me vlerë mbi 27 miliardë euro, ndërsa përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave vazhdoi të rritet, përfshirë Apple Pay dhe Google Pay. BQK po ashtu avancoi procesin drejt anëtarësimit të Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe projektin për pagesa të menjëhershme përmes TIPS Clone me Bankën e Italisë.
“BQK intensifikoi mbikëqyrjen e sistemit financiar, duke realizuar 30 ekzaminime në vend në sektorin bankar, të sigurimeve, pensioneve dhe institucionet mikrofinanciare e jobankare, me fokus në menaxhimin e rreziqeve, qeverisjen korporative, sigurinë kibernetike dhe pajtueshmërinë rregullative. Njëkohësisht, u avancua harmonizimi i kornizës rregullative me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë zhvillimin gradual drejt zbatimit të modelit SREP dhe standardeve të avancuara të raportimit FINREP/COREP”, thuhet më tej.
Raporti vë në pah edhe avancimet në fushën e inovacionit financiar, ku gjatë vitit 2025 u miratua korniza e parë rregullative për kripto-asetet, u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi me Bankën Qendrore Evropiane për mbrojtjen e integritetit të valutës euro dhe u ndërmorën masa për formalizimin e ekonomisë, përfshirë tërheqjen nga qarkullimi të rreth 170 mijë kartëmonedhave prej 500 eurosh.
Në aspektin ndërkombëtar, BQK njofton se siguroi vazhdimin e linjës së likuiditetit EUREP prej 100 milionë eurosh nga Banka Qendrore Evropiane, ndërsa Kosova u hoq nga Lista e Bankës Botërore për Vendet në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit. Gjithashtu, agjencia Fitch Ratings konfirmoi vlerësimin kreditor sovran “BB-”, duke reflektuar stabilitetin makroekonomik dhe besimin e investitorëve.
Raporti përfshin edhe pasqyrat financiare të audituara të BQK-së, të cilat kanë marrë opinion të pamodifikuar nga auditori i jashtëm. Institucioni realizoi rezultat financiar pozitiv prej 24 milionë eurosh gjatë vitit 2025, ndërsa gjysma e fitimit iu transferua buxhetit të Republikës së Kosovës dhe pjesa tjetër rezervave të BQK-së.
“Për vitin 2025, BQK realizoi rezultat financiar pozitiv prej 24 milionë euro, ndërsa në përputhje me kornizën ligjore në fuqi, 50% e fitimit është ndarë për buxhetin e Republikës së Kosovës dhe 50% për rezervat e BQK-së, duke kontribuar njëkohësisht në forcimin e qëndrueshmërisë financiare të institucionit dhe kontributin për financa publike”, theksohet në raport.
BQK shprehet se mbetet e përkushtuar të vazhdojë me reforma të orientuara drejt standardeve evropiane, me synim ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e integritetit të sistemit financiar dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.