Brad Pitt është duke e shijuar në maksimum jetën e tij.
Gjersa po ecte në tepihun e kuq të ceremonisë së ndarjes së çmimeve, SAG Awards të dielën, aktori ka folur për People për gjërat e vlefshme që ka aktualisht në jetë.
“Është një ditë e bukur këtu në Los Angeles”, tha Pitt, 56-vjeçar. “Unë kam miqtë, fëmijët e mi të dashur, e dua kafenë, i dua qentë, nuk kam asnjë ankesë”, vazhdoi më tej aktori ylli i Hollywood-it.
Pitt ka gjashtë fëmijë me ish-bashkëshorten e tij, aktoren Angelina Jolie. Dyshja u ndanë në shtator të vitit 2016 pas dy vitesh martesë dhe 12 vite njohje së bashku.
Në fillim të këtij muaji, aktori fitoi për ‘aktorin më të mirë mbështetës’ në ‘National Board of Review’, në të cilin tha se ‘qëllimet e tij në jetë tani janë shumë të thjeshta’, si ‘të jesh i lumtur” dhe ‘të qëndrosh i shëndetshëm’.
Brad po ashtu fitoi çmim edhe në SAG Awards për performancën e tij të mahnitshme në filmin “Once Upon a Time… in Hollywood”.
Viti i kaluar ishte mjaft i rëndësishëm për aktorin, i cili kishte dy filma në kinema duke përfshirë edhe dramën hapësinore “Ad Astra”.
Tani në qarkun e çmimeve për filmin e nëntë të Tarantino, Pitt ka bërë tituj, së fundmi për ribashkimin e tij me ish-gruan Jennifer Aniston në prapaskenën e ceremonisë SAG Awards.
Të dy aktorët përshëndetën njëri-tjetrin ngrohtësisht pasi fituan në kategoritë e tyre përkatëse.
Yjet botërore ishin të martuar për pesë vite para divorcit të tyre në 2005.