Braktisja e fëmijëve në Kosovë ka qenë dhe mbetet mjaft e shprehur. Kjo dukuri është e përhapur prej shumë vitesh, bazuar në të dhënat që posedojnë institucionet relevane.
Vetëm pas luftës në Kosovë, mesatarja e fëmijëve të braktisur sillet rreth 58 fëmijë brenda vitit.
Janë braktisur vajza, janë braktisur djem, janë braktisë fëmijë të shëndoshë dhe me aftësi të kufizuar. Arsyet e braktisjes kanë qenë dhe janë prej më të ndryshmeve, mirëpo dominon mospërkrahja e familjes dhe kushtet ekonomike, përderisa për pasojë ka qenë shtatzënia e padëshiruar, tradhtia, shantazhi, joshja, alkooli, substancat narkotike, incesti, mungesa e informimit për masat mbrojtëse.
Bazuar në të dhëna, pjesa dërmuese e mënave që kanë braktisë fëmijët ka qenë të moshës së mitur, dhe shpesh edhe nën moshën 16-vjeçare.
Duke i pasur për bazë rrethanat dhe pasojat, si dhe ruajtjen e privatësisë së nënave, braktisja është pranuar si një akt, përderisa numri i aktakuzave të ngritura për babën apo baballarët e mundshëm të fëmijës është minimal, për të mos thënë se nuk ka pas fare.
Rastet e fundit të shfaqura në publik, me siguri se do të ndikojnë drejtpërdrejtë në vetëdijesimin e qytetarëve, për pasojat dhe sanksionet e mundshme, në rritjen e kujdesit dhe sjelljeve karshi vajzave të mitura.
Ligjet në fuqi ndalojnë çdo marrëdhënie seksuale me fëmijë të dy gjinive nën moshën 16 vjeçare, kurse për lidhjen e martesës mes moshës mes 16 deri 18 vjet duhet ndjekur procedurat e parapara me Ligjin e Familjes pasi të kenë marrë pëlqim prej Gjykatës.
(Autori është drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë)