Brazili i hap sallat e fitnesit dhe sallonet e floktarëve

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, tha të hënën se sallat e fitnesit dhe sallonet e floktarëve ofrojnë shërbime themelore, prandaj duhet të qëndrojnë të hapura gjatë pandemisë, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve me Covid-19.

Deri më tani, Brazili i ka regjistruar 11,519 viktima të koronavirusit dhe 168,331 të infektuar, duke iu afruar kështu Gjermanisë dhe Francës.

Bolsonaro ka thënë se qeveritë rajonale dhe lokale e kanë tepruar me masat e izolimit dhe se ato janë tepër të dëmshme për ekonominë, shkruan “France24”.

“Çështja e jetës duhet të vendoset në paralele me vendet e punës. Pa ekonomi, nuk ka jetë, nuk ka mjekë, nuk ka furnizime për spitale”, tha ai.

Vendimi i presidentit për lehtësimin e masave kufizuese u mor në kohën kur vendi për 24 orë i shënoi 396 viktima të reja dhe 5,632 raste të infektimeve.

Brazili është vendi më i prekur nga koronavirusi në Amerikën Jugore. Në këtë shtet ka pasur përplasje mes presidentit dhe ministrave në lidhje me masat, duke rezultuar në shkarkimin e ministrit të shëndetësisë.

Të ngjashme