Brazilianët protestojnë kundër Bolsonaros pas javës më të keqe me koronavirus

Prishtinë | 29 Qer 2020 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Protestuesit në Brazil dhe shtete tjera përreth botës janë bashkuar për të denoncuar mënyrën se si Presidenti Jair Bolsonaro ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit, gjersa ky shtet i Amerikës Latine regjistroi javën më të keqe të infektimeve, shkruan Al Jazeera.

Protestat “Stop Bolsonaro” u bënë edhe online, por edhe nëpër rrugët e qyteteve kryesore të Brazilit dhe në më shumë se 20 shtete tjera të dielën, duke kërkuar dorëheqjen e udhëheqësit të së djathtës ekstreme i cili po quhet kërcënim për demokracinë.

Brazili regjistroi numrin më të madh të infektimeve brenda shtatë ditëve me 259,105 raste deri dielën, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Shteti gjithashtu raportoi numrin më të madh të vdekjeve brenda javës, me 7,005 të vdekur, pak më ulët se rekordi i javës së kaluar ku humbën jetën 7,285 persona.

Me më shumë se një milionë raste të regjistruara dhe 57,622 të vdekur, Brazili është në qendër të pandemisë, vendi i dytë pas SHBA-së me numër të rasteve dhe vdekjeve.

Bolsonaro, i cili e quajti koronavirusin “grip i vogël” është kritikuar shumë për mënyrën se si e ka menaxhuar krizën dhe vazhdimisht ka mohuar dëshmitë në rritje rreth ndikimit vdekjeprurës që ky virus ka pasur në shtetin e tij.

Tubimet kundër tij u mbajtën edhe në Austri, Spanjë, Zvicër, Gjermani dhe Britani.

Ekspertët thonë se numri i vërtetë i infektimeve dhe vdekjeve në Brazil me siguri është shumë më i madh se sa që tregojnë shifrat zyrtare.

Të ngjashme