Bregu: Ballkani Perëndimor nuk mund të humbasë edhe një dhjetëvjeçar tjetër

Prishtinë | 14 Sht 2020 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Iniciativa rajonale “Korridoret e gjelbra” mundësoi qarkullimin pa probleme të mallrave gjatë fazës më kritike të pandemisë së koronavirusit (COVID-19) duke stabilizuar qarkullimin e mallrave në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo gjë ndihmoi së tepërmi kompanitë që merren me eksport, apo preken nga eksporti, por edhe ato kompani prodhimi i të cilave varet nga importet.

Kriza tregoi se “të veprosh solo” në një rajon të vogël mund të jetë shkatërrimtare, por edhe që Ballkani Perëndimor i ka kapacitetet dhe forcën për të vënë në zbatim iniciativa të përbashkëta për normalizimin e jetës në ekonomitë e ndërlidhura me njëra-tjetrën.

A i kanë zbutur “Korridoret e gjelbra” pasojat e rënda ekonomike të koronavirusit për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor?

Korridoret e gjelbra janë një nga historitë e suksesit që u arrit në kohë krize madhore. Gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal, Sekretariati i Traktatit të Komunitetit të Transportit dhe CEFTA, me mbështetjen e Komisionit Europian dhe Shtetet Anëtare të BE-së që janë fqinje të vendeve të rajonit, ndihmuan qeveritë e rajonit të gjithë së bashku për të përcaktuar dhe për të vënë në përdorim një masë tejet të nevojshme në këtë situatë, në mënyrë që të sigurohej qarkullimi i mallrave, në veçanti qarkullimi i produkteve ushqimore, i barnave, ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore brenda për brenda rajonit, por edhe ndërmjet rajonit dhe Bashkimit Europian – e gjitha kjo në momentin e mbylljes së madhe për shkak të pandemisë së koronavirusit COVID-19.

Cilat ishin pengesat më të mëdha që u hasën në zbatimin e iniciativës “Korridoret e gjelbra”, si një regjim specifik i kalimit të pikave kufitare?

Ekzistojnë 14 pika kufitare ndërmjet ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe 18 pika të kalimit kufitar ndërmjet rajonit dhe Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian. Në një moment të caktuar, duheshin më shumë se 20 orë për të kaluar një pikë të vetme të kalimit kufitar, d.m.th. që të përfundoje procedurat doganore dhe higjieno-sanitare apo dezinfektuese, si edhe kontrollet shëndetësore të drejtuesve të mjeteve.

Pra, procesi ishte jo vetëm skajshmërisht i gjatë në kohë duke sjellë vonesa të mëdha dhe shpesh edhe ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit, por edhe shumë i kushtueshëm. Sipas përllogaritjeve, çdo minutë e kaluar si kohë pritjeje kushton pothuajse 2 euro për maune, ose 26 milionë orë pritjeje në kufijtë tanë të brendshëm. Kjo do të thotë që drejtuesit e automjeteve të mëdha që transportojnë mallrat tona kryesore, kalojnë 80% të kohës duke pritur në pikat e kalimit kufitar. Nuk duhet harruar kjo shifër.

Në fillim të pandemisë në ditë nuk kalonin as 2.000 maune, ndërkohë që shifra sot është 13.000 në ditë.

Prandaj, jam e mendimit që Korridoret e gjelbra bënë të mundur kalimin pa probleme të kufirit, duke lejuar mallrat që të arrinin në destinacion në kohë dhe duke kursyer shifra të konsiderueshme parash, duke kursyer kohë dhe stress madje.

Mos harroni që bëhet fjalë për situatën e mbylljes totale, një situatë e cila ishte ende risi dhe e gërshetuar me furnizmin e pasigurt të mallrave më të rëndësishme për përdorim, krijoi ankth tek qytetarët jo vetëm në rajon, por edhe gjetkë në botë.

Jam e sigurt që edhe ju mendoni që nuk ka shumë gjëra që ecin mirë apo pa probleme në rajonin tonë. Por kjo gjë na bën të gjithë ne që punojmë në rajon të ndjejmë kënaqësi, kur shohim që pavarësisht vështirësive dhe diferencave që ekzistojnë në rajonin tonë, bashkëpunimi rajonal ka funksionuar dhe ka dhënë frytet e veta për të gjithë.

A mund të jetë bashkëpunimi rajonal shpëtimi i Ballkanit Perëndimor në tejkalimin e krizës? A do të jetë e mundur në të ardhmen që të vazhdojë së ekzistuari regjimi specifik i kalimit kufitar, edhe jashtë kontekstit të koronavirusit?

E kam thënë shumë herë dhe do të vazhdoj ta them: që unë besoj se sa më i mirë bashkëpunimi rajonal, aq më të fortë jemi ne. Së bashku ne mund të mbijetojmë si treg dhe të përçojmë më shumë besim dhe interes tek investuesit e huaj, që do të thotë më shumë rritje ekonomike dhe më shumë vende pune.

Prandaj ia vlen t’ju kujtoj marrëveshjen “roaming”. Ishte e vështirë por ka hyrë në fuqi pikërisht për shkak të kësaj fryme bashkëpunimi që treguan të gjitha ekonomitë e rajonit. Të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor së bashku kanë rreth 18 milionë banorë, ndoshta edhe më pak për shkak të fenomenit të migrimit. Gjithsesi, i tërë rajoni mund të krahasohet me një vend të vogël europian. Kjo do të thotë që në mënyrë që ne të arrijmë të kemi një ndikim serioz tek palët e tjera, duhet të bëhemi patjetër bashkë e të ecim përpara së bashku. Dhe pikërisht për këtë gjë po punon gjatë të gjithë kohës Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal.

Duhet thënë që bashkëpunimi rajonal është forcuar më shumë gjatë viteve të fundit, ashtu siç është forcuar edhe ndërgjegjësimi i të gjithëve për faktin që integrimi ekonomik rajonal është domosdoshmëri. Kjo verë, së cilës po i vjen fundi, na tregoi fare qartë rëndësinë e intra-varësisë rajonale. Po, ishin rrethanat ato që na çuan drejt këtij modeli të ri të realitetit, por na treguan edhe se ç‘do të thotë ta shpërfillësh bashkëpunimin dhe se çfarë të mirash u sjellin qytetarëve marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Edhe një hërë tjetër, shprehja që ti fillon ta vlerësosh një gjë vetëm pasi nuk e ke më, është vërtetuar katërcipërisht sërish këto kohë. Ashtu si unë, edhe qytetarët e rajonit besojnë tek bashkëpunimi rajonal. Mbështetja e tyre për bashkëpunimin rajonal është rritur nga viti në vit: 77% sivjet nga 74% në vitin 2018.

Pothuajse 4 vite më parë, ne filluam të punonim fort për Zonën Rajonale Ekonomike (REA). Janë arritur disa suksese të dukshme në sajë të përpjekjeve tona të përbashkëta, si për shembull marrëveshja rajonale për romingun. Ka edhe procese të tjera rajonale që janë në vijimësi, nga të cilat ne presim rezultate nga dita në ditë.

Me marrëveshjen e ardhshme REA 2, rajoni duhet të vazhdojë ta promovojë Ballkanin Perëndimor si një hapësirë të përbashkët investimesh, si një hapësirë ku ka qarkullim të lirë të kapitalit dhe të shërbimeve, ku ka produkte të përbashkëta për turizmin, përmirësim të infrastrukturës digjitale, konjektivitet reciprok dhe shumë njerëz me aftësi dhe kapacitete për të ofruar, duke rritur novacionin dhe biznesin, duke sjellë më shumë bashkëpunim dhe bashkërendim për të mbajtur talentet ekzistuese, por edhe për të tërhequr talente të tjera, duke punuar edhe më shumë për Agjendën e Gjelbër të Ballkanit Perëndimor, por edhe duke parë arritjet e shkuara si marrëveshja për romingun apo Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor, për të arritur suksese të mëtejshme në të ardhmen.

Por ka edhe një element mobiliteti ose lëvizjeje, pasi ne mendojmë që të punojmë më shumë për të rritur lëvizjen e studentëve, hulumtuesve dhe pedagogëve, ose lëvizjen e qytetarëve të rajonit vetëm më kartë identiteti në rajon, një element thelbësor i lëvizjes ky, ndërkohë që në fund, por jo nga rëndësia, mund të përmend faktin që ne po punojmë për t’i hequr fare lejet e punës në rajon, duke bërë të mundur lëvizjen dhe shkëmbimin pa pengesa të elementit punë në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Së bashku me Komisionin Europian dhe gjashtë ekonomitë e rajonit, ne po punojmë për ta arritur dhe për ta miratuar këtë kuadër të rëndësishëm përpara Samitit të Sofjes që do të organizohet sivjet.

A mund të shërbejnë si shembull për bashkëpunimin rajonal Korridoret e gjelbra?

Shpresoj që me uljen e rrezikut që i vjen shëndetit nga koronavirusi, kufijtë të rihapen me ngadalë dhe plotësisht, pasi kufijtë e mbyllur nuk i shërbejnë askujt, e aq më tepër kufijtë e BE-së me Ballkanit Perëndimor.

Prandaj do t’i përgjigjesha me një “po” të fortë pyetjes suaj, pra nëse korridoret e gjelbra mund të shërbejnë si shembull për suksesin që sjell bashkëpunimi rajonal. Kjo është arsyeja se përse ne do të vazhdojmë të punojmë fort që këto korridore reciproke të “zgjerohen” edhe më shumë e të jënë edhe më të gjelbra.

Koha kalon dhe Ballkani Perëndimor nuk mund të humbasë një dhjetëvjeçar tjetër me njollën e destabiliteteve potenciale. Kjo gjë është e rrezikshme, sepse në rast se të rinjtë e talentuar dhe të arsimuar nuk e shohin të ardhmen europiane në rajon, ata do të përdorin të gjitha mundësitë që u jepen për të shkuar në vende të tjera në kërkim të një jete më të mirë në Bashkimin Europian, duke u bërë pjesë BE-së në mënyrë individuale. Partneriteti transatlantik dhe ndjesia e pronësisë rajonale janë shumë të rëndësishme për t’i mbajtur gjithnjë velat e anijes së Ballkanit Perëndimor drejt perëndimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme