“Integrimi i Romëve nuk duhet të jetë thjesht çështje empatie për një grup vulnerabël, por është çështje parimi për të trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të kënaqur që iniciativa jonë për të zhvilluar kapitalin njerëzor si pjesë e “Connectivity Agenda” të Procesit të Berlinit, duke përmirësuar konkretisht dimensionin e tyre social, është një realitet, dhe se BE në mënyrë efektive iu përgjigj thirrjes së Ballkanit Perëndimor për të nxitur partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe forcuar rolin e tyre në post-strategjinë e viti 2020 mbi Romët dhe për të vazhduar më tej mbështetjen për Ballkanin Perëndimor në zbatimin e “Deklaratës së Poznanit”, tha Majlinda Bregu , Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në hapjen e takimit Ministror për Integrimin e Romëve, sot, në Tiranë.
Tema kryesore e takimit të Ministrave ishte progresi i zbatimit të “Roma Integration Declaration” (Deklaratës së Integrimit të Romëve), miratuar nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, vitin e kaluar në Poznan, që përcakton synime të rëndësishme për qeveritë për t`u arritur përpara integrimit në BE, pasi Romët janë shtresa më vulnerabël e popullsisë në rajonin tonë. 88% e Romëve jetojnë në mungesë të theksuar sa i përket aspektit material; 1 në 2 nuk është në gjendje të sigurojë ushqim për çdo ditë; vetëm 16% janë të punësuar; dhe gati 10% nuk kanë as kartë identiteti.
Në fjalën e tij të hapjes Oliver Varhelyi, Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin shprehu besimin e tij se Plani i ri Ekonomik dhe i Investimeve i Bashkimit Europian do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në aftësinë e rajonit për të ndërtuar dhe zhvilluar kapacitetin e tij njerëzor dhe sipërmarrës. “Të dashur ministra, angazhimi juaj personal në integrimin e Romëve është i domosdoshëm dhe kritik. Bazuar në arritjet tuaja në zbatimin e Deklaratës së Poznanit, gjej mbështetjen për të vazhduar më tej angazhimin tuaj në Samitin e ardhshëm në Sofje për të përparuar në fusha të rëndësishme, në veçanti për arsimimin Rom dhe përfshirjen e tyre në tregun e punës”.
Zeljko Jovanovic, drejtor i Zyrës për Iniciativa të Romëve të Fondacionit për një Shoqëri të Hapur , theksoi se “nëse do të gjenim mënyra për t`i legalizuar shtëpitë e tyre, për të mbështetur mbledhësit e mbeturinave të riciklimit, veprimtari e tyre që sot për sot shikohet si krim, për të mbështetur endacakët e rrugëve, për të mbështetur punëtorët sezonalë, artistët, muzikantët ne mund të rrisim sigurinë, të ardhurat dhe produktivitetin që mund t’i ndihmojë ata të hyjnë në industrinë e riciklimit dhe në atë ambientale, në vend që t’i injorojmë dhe t’i shtyjmë më thellë drejt pasigurisë dhe varfërisë”.
Për të përmbyllur pjesën hapëse të takimit, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se është “i lumtur kur sheh që angazhimi politik ekziston dhe ne po zbatojmë atë që u ra dakord në Poznan. Pasojat sociale të shkaktuara nga # COVID19 përforcuan nevojën për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin e ndërsjellë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku me Bashkimin Europian, për të përfshirë plotësisht komunitetin Rom”.
Fjalën e hapjes e mbajtën gjithashtu nga Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Denitsa Sacheva, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale të Bullgarisë. Fjalët përmbyllëse u mbajtën nga Peter Zingraf, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, në Shqipëri dhe Katarina Mathernova, Zëvendës Drejtore e Përgjithshëm për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, nga Komisioni Evropian e cili tha se ky takim ministror për përfshirjen sociale të Romëve ka qenë shumë i suksesshëm dhe rikonfirmoi rëndësinë e vendimeve të marra në Samitin e Poznanit dhe zbatimin e Deklaratës së Pozman. Mathernova shtoi gjithashtu se ende duhet të bëhet më shumë për barazinë e plotë dhe përfshirjen e Romëve, duke cituar fjalët e Komisionerit Varhelyi se mbështetja e Komisionit Evropian do jetë gjithmonë.
Ministrat përgjegjës për integrimin e Romëve në rajon pranuan përfundimet e përbashkëta, duke u përqëndruar në legalizimin e banesave, sigurimin e një strehimi të denjë, me mbështetjen e RCC si lehtësues të këtij procesi; çrrënjosja e pashtetësisë dhe mekanizmat për parandalimin e tij; mekanizmi i monitorimit dhe raportimit mbi progresin e integrimit të Romëve; Buxhetimi i Përgjegjshëm i Romëve; pjesëmarrja e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Kornizën Strategjike të BE-së për Romët, për barazi, përfshirje dhe pjesëmarrje 2020-2030; dhe si përfundim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal që do të sigurojë mbrojtje më të madhe të Romëve dhe përmirësimin e statusit të tyre socio-ekonomik, veçanërisht në kushtet e pandemisë COVID-19, në të cilën ndodhemi. Ministrat gjithashtu mirëpritën iniciativën e Bosnje dhe Herzegovinës për të organizuar takimin Ministror të radhës në 2021-shin.
Takimi mblodhi ministrat përgjegjës për Integrimin e Romëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, zyrtarë nga Zyrat Kryeministrore, Pikat Kombëtare të Kontaktit të Romëve, organizatorët e Samitit të ardhshëm të Sofjes, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe RCC-së.