74% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor (BP) e shohin ndotjen e mjedisit si një problem, dhe nuk është për t’u habitur, duke marrë parasysh se ky rajon përbëhet nga qytetet më të ndotura në Botë, kjo për shkak se 70% e energjisë elektrike prodhohet nga djegia e qymyrit, pra ngrohja me zjarr. Kjo s`është e vetmja arsye. 16 termocentrale në BP prodhojnë më shumë ndotje sesa 250 impiante në BE.
Ndotja e ajrit është drejtpërdrejt përgjegjëse për 1 në 5 vdekje të parakohshme në 19 qytete të Ballkanit Perëndimor. Në shumë qytete ujërat e zeza shkarkohen pa u përpunuar. Modeli linear ekonomik dhe parimi “take-make-dispose” (marr-bëj-shes) na mbajnë të bllokuar pas së kaluarës.
Normat e riciklimit në rajon janë nën 3%, ndërsa mesatarja e BE-së është 44%. Lumenjtë e pacenuar të BP dhe biodiversiteti janë gjithashtu të rrezikuar dhe Axhenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është e vonuar”, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në hapjen e Takimit të 5-të Ministror mbi Mjedisin dhe Veprimet Klimatike në Ballkanin Perëndimor.
“Zbatimin e Axhendës së Gjelbër, udhëheqësit tanë e miratuan muajin e kaluar në Sofje. Ky vendim do të formësojë ndjeshëm të ardhmen tonë. Kjo do të ndryshojë mënyrën sesi ne prodhojmë dhe i përdorim produktet, dhe sjelljen tonë të papërgjegjshme ndaj natyrës. Kjo do të ndryshojë mënyrën se si dhe cilën energji përdorim, si udhëtojmë, jetën tonë të përditshme. Por ne duhet të ndryshojmë në mënyrë që të sigurojmë një mjedis më të shëndetshëm, ajër më të pastër, për të rezervuar ujin e freskët dhe të pijshëm, për të mbijetuar. Nuk do të jetë e lehtë, por përmes bashkimit të forcave të gjithë rajonit dhe me ndihmën bujare të BE-së përmes planit të investimeve prej 9 miliardë eurosh, ne mund të kemi një shans, nëse veprojmë menjëherë”, shtoi Bregu.
Ministrat e Ballkanit Perëndimor që merren me mjedisin dhe ndryshimet klimatike, të mbledhur në takim, arritën në përfundimin se rajoni është i përkushtuar dhe i vendosur për bashkëpunim rajonal dhe për të punuar së bashku në zbatimin e Deklaratës së Sofjes për Agjendën e Gjelbër. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal do të vazhdojë të mbështesë Qeveritë e BP në përpjekjet e tyre në proceset që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe klimëS në bashkëpunim të ngushtë me partnerët rajonalë. Duke nisur që nga viti 2021 RCC, së bashku me partnerët nga rajoni, do të fillojnë të punojnë mbi një Plan Veprimi dhe harte për zbatimin e Agjendës së Gjelbër, së bashku me krijimin e sistemit të duhur të monitorimit.
“Kjo është një axhendë shumë pozitive dhe ju mund të jeni shumë krenarë që po nisni zbatimin e saj pasi do të jetë shumë e dobishme për qytetarët e rajonit dhe për BE-në në tërësi, pasi nëse ka një gjë që nuk njeh kufij, ajo është ndotja dhe kërcënimet mjedisore. Axhenda e Gjelbër e Ballkanit Perëndimor do të zhbllokojë potencialin e rajonit për ekonominë ciklike dhe kjo s`do të thotë gjë tjetër veçse më shumë punë dhe rritje”, tha Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit.
“Ne jemi dëshmitarë të krizës së ndryshimit të klimës që ecën më shpejt sesa përpjekjet tona për ta zbutur atë, e kështu kërcënon zhvillimin njerëzor, duke rrezikuar planet tona për një rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Unë do të doja t`i inkurajoja të gjithë, që të bëjmë gjithçka që mundemi për të forcuar më tej bashkëpunimin rajonal përmes Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, tha Ljiljana Lovrić, Zëvendës Ministre e Ministrisë së Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Takimi i 5-të Ministror mbi Mjedisin dhe Veprimeve Klimatike në Ballkanin Perëndimor u organizua nga Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, si bashkëkryesues të Grupit Rajonal të Punës për Mjedisin, për vitin 2020.
Gjatë Samitit të Sofjes të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në 10 nëntor 2020, rajoni arriti një pikë të rëndësishme duke miratuar Deklaratën e Udhëheqësve për Agjendën e Gjelbër që përputhet me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së. Deklarata synon të mbështesë dhe përshpejtojë ndryshimet dhe proceset në rajon me qëllimin kryesor të adresimit të ndryshimeve klimatike.