Brenda mega operacionit për shpëtimin e pilotit amerikan në Iran, ç’dihet deri tani

Prishtinë | 05 Pri 2026 | 13:03 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara kanë arritur të shpëtojnë anëtarin e fundit të zhdukur të ekuipazhit të avionit luftarak F-15, i cili u rrëzua të premten në jug të Iranit.

Lajmi u konfirmua nga presidenti Donald Trump, i cili tha se ushtria amerikane realizoi“një nga operacionet më të guximshme të kërkim-shpëtimit në historinë e saj”. Sipas tij, oficeri është tashmë “i sigurt dhe në gjendje të mirë”. 

Në avion ndodheshin dy anëtarë ekuipazhi dhe të dy ishin hedhur me katapultë para rrëzimit. Njëri prej tyre ishte shpëtuar më herët. Nga ana e tij, Irani pretendon se avioni u rrëzua nga sistemi i tij i mbrojtjes ajrore.

Si u zhvillua operacioni? 

Sipas raportimeve, SHBA dhe Irani hynë në një garë për të gjetur ushtarakun e zhdukur. Një burim i njohur me operacionin e përshkroi atë si një mision të madh kërkim-shpëtimi luftarak në jug të Iranit.

BBC raporton se gjatë operacionit ka pasur përplasje mes forcave amerikane dhe atyre iraniane, ndërsa ushtaraku mund të jetë plagosur që në momentin kur u hodh nga avioni.

Trump tha se vendndodhja e tij monitorohej vazhdimisht dhe se në operacion u përfshinë dhjetëra avionë amerikanë. Ai shtoi se nuk pati asnjë amerikan të vrarë apo të plagosur gjatë shpëtimit.

Nga ana tjetër, media iraniane raportoi se Garda Revolucionare rrëzoi një dron amerikan që po merrte pjesë në kërkimet për ushtarakun e zhdukur.

Ekspertët theksojnë se anëtarët e ekuipazheve të avionëve luftarakë janë të trajnuar posaçërisht për situata të tilla: të largohen shpejt nga vendi i rrëzimit, të fshihen dhe të mbijetojnë për sa më gjatë.

Ku u rrëzua avioni?

Vendndodhja e saktë nuk është konfirmuar plotësisht, por mediat iraniane përmendin provincat Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmadose Khuzestan në jug të Iranit.

Mediat amerikane raportojnë se edhe gjatë operacionit të parë të shpëtimit pati rrezik: një helikopter që po transportonte pilotin e shpëtuar u godit nga armë të lehta, duke plagosur disa pjesëtarë të ekuipazhit, por arriti të ulej i sigurt.

Ndërkohë, Garda Revolucionare thotë se fise nomade lokale qëlluan mbi dy helikopterë Black Hawk amerikanë.

Çfarë dihet për misionin e F-15?

F-15E është një avion i projektuar si për sulme ajrore, ashtu edhe për goditje ndaj objektivave tokësore. Në luftën me Iranin, ai besohet se po përdorej kryesisht për të goditur dronë dhe raketa iraniane, por edhe për sulme precize me armë të drejtuara me lazer ose GPS.

Avioni ka dy anëtarë ekuipazhi: pilotin dhe oficerin e sistemeve të armëve. Ende nuk dihet saktësisht se çfarë e rrëzoi avionin, por nëse është goditur nga iranianët, arsyeja më e mundshme mbetet një raketë tokë-ajër.

Të ngjashme