Brestovci: Në fund të marsit të 2025-ës, synojmë adoptimin e 1 500 qenë endacakë

Prishtinë | 22 Tet 2024 | 08:17 | Nga Hasan Hoti

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka thënë se deri në fundit të marsit të vitit të ardhshëm synojnë që t’i largojnë nga rrugët mbi 1 500 qenë endacakë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Brestovci ka thënë se arrijnë që brenda javës t’i trajtojnë deri në 50 qenë, ndërsa nga 11 shtatori kur është funksionalizuar strehimorja, kanë kapur 268 qenë endacakë.

“Të them të drejtën është duke shkuar shumë mirë, është duke komplet sipas dinamikës që e kemi paraparë për këtë fazë sepse pastaj do të rrisim dinamikën. Më gëzon fakti se nga 11 shtatori kur e kemi funksionalizuar qendrën e veterinarisë e deri më sot i kemi kapur 268 qenë të cilët janë trajtuar dhe të gjithë këta janë dhënë për adoptim. Kështu që po punojmë me këtë ritëm, diku ndërmjet 40 dhe 50 qenë brenda javës”.

“Ka javë kur kushtet klimatike janë pak më të vështira me shi, ku pastaj edhe frekuenca e qenve të kapur është pak më e ulët, mirëpo jemi në një dinamizëm qysh e kemi paraparë. Po them se dinamizmin do ta shtojmë në momentin e funksionalizimit të strehimores sonë, sepse pastaj edhe nëse kemi pak nevojë për të pritur deri sa një adaptues t’i krijojë kushtet në bazë të kontratës për adoptimin e qenve, atëherë mundet që qentë të cilët janë të kapur t’i lejmë për disa javë në këtë procesin e socializmit brenda qendrës sonë të strehimit”.

Brestovci ka thënë se për vitin e ardhshëm synojnë që t’i largojnë qentë endacakë nga hapësirat publike, përfshirë sheshet, kampusi universitar e institucionet arsimore e shëndetësore.

“Deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm dhe në bazë të buxhetit të paraparë që e kemi, synimi jonë t’i largojmë nga hapësirat publike, njëkohësisht t’i trajtojmë dhe t’i japim në adaptim prej 1300 deri në 1 500 qenë maksimumi. E dimë që me këtë numër nuk do të zgjidhet problemi me qenë endacakë tërësisht, mirëpo do ta krijojmë një zonë të mbrojtur nga qentë endacakë që përfshinë të gjithë qendrën e kryeqytetit, duke filluar nga sheshet, kampusi universitar, të gjitha hapësirat ku kemi shkolla e çerdhe e qendrat e mjekësisë familjare. Do na mbetet diçka edhe për vitin 2025 për shkak limitit buxhetor që e kemi”.

“Ne për t’u përballur edhe për pjesën tjetër të mbetur të qenve endacakë, i kemi drejtuar një kërkesë me shkrim Qeverisë së Kosovës dhe nëse do të kemi mbështetje financiare nga ta, atëherë natyrisht që intensiteti jonë do të jetë që deri në shtator të vitit të ardhshëm ta kemi përfundimisht të zgjidhur problemin me qentë endacakë në Kryeqytet dhe kjo më mos të mbetet temë e Kryeqytetit”, ka thënë Brestovci, teksa tregon edhe për shumën e kërkuar nga ekzekutivi.

“Ne kemi parashtruar një kërkesë në vlerë prej 3 milionë euro jo vetëm për kapje por edhe për disa pajisje të cilat do të na nevojiteshin për ta pajisur qendrën tonë të veterinarisë edhe me pajisje shtesë”, u shpreh Brestovci.

Të ngjashme