Kandidati i Partisë Konservatore për kryeministër britanik, Jeremy Hunt ka paralajmëruar se partia e tij do të shkaktojë “vetëvrasje politike” nëse tenton të shtyjë përpara idenë e largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje.
Hunt, që aktualisht është ministër i Jashtëm, është një nga 10 personat që synon të zëvendësojë kryeministren britanike, Theresa May.
Në një shkrim për The Daily Telegraph, Hunt ka thënë se konservatorët do të pësojnë rëndë nëse përballen me zgjedhje të përgjithshme para se të finalizohet procesi i Brexitit.
Ai ka thënë se gjithmonë ka besuar që, një Brexit pa marrëveshje është mundësi më e mirë sesa anulimi i gjithë procesit të largimit, mirëpo sipas tij, nëse një kryeministër mbron idenë e largimit pa marrëveshje, rrezikon të përballet me votë mosbesimi, çka do të rezultonte me mbajtje të zgjedhjeve të përgjithshme.
“Brexiti pa marrëveshje përmes organizimit të zgjedhjeve nuk është zgjidhje, është vetëvrasje politike”, ka shkruar ai.
Në përgjigje të kësaj deklarate, një nga rivalët e ministrit Hunt, Esther McVey, ka thënë se “vetëvrasje politike” do të përbënte fakti nëse Britania nuk largohet nga blloku evropian në fund të tetorit, ashtu siç është planifikuar.
Theresa May, ka njoftuar javën e kaluar se më 7 qershor do të largohet nga pozita e lideres së Partisë Konservatore në Britani, duke i hapur rrugë procesit të zgjedhjes së kryeministrit të ri.
Ajo do të luajë rolin e kryeministres derisa të zgjedhet lideri i ri, proces që mund të zgjasë disa javë.
May është përballur me presion të madh nga partia e saj për t’u larguar nga pozita që ka, pasi plani i saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian ka dështuar të miratohet në Parlamentin britanik.
Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.