Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian u pajtuan për shtyrjen e datës së Brexit-it, apo të daljes së Britanisë nga BE-ja, deri më 31 tetor.
Pas samitit në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, njoftoi në orët e para të së enjtes se May është pajtuar me kushtet e BE-së për shtyrje.
Tusk e përshkroi marrëveshjen si “shtyrje fleksibile”, duke thënë se ajo nënkupton “gjashtë muaj shtesë për Mbretërinë e Bashkuar, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme”.
“Ju lutem, mos humbni kohë”, tha Tusk.
Konkluzionet e samitit të BE-së thonë se Britania “duhet të përmbahet nga çdo masë që i rrezikon projektet kyçe të BE-së”.
Ky kusht thuhet se synon të parandalojë Britaninë nga ushtrimi i fuqisë së vetos mbi iniciativat në Bruksel, gjatë periudhës shtesë për Brexit-in.
Udhëheqësit e BE-së planifikojnë të takohen sërish në qershor për të vlerësuar situatën.
Britania mund të largohet nga BE-ja para 31 tetorit, nëse May arrin të bindë shumicën në Parlamentin britanik që të mbështesë marrëveshjen për Brexit që ajo ka negociuar me BE-në, vitin e kaluar.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se Brexit-i pa marrëveshje do të ishte “një katastrofë totale” dhe se Brukseli do të bëjë gjithçka të mundur për të shmangur skenarin pa marrëveshje.