Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka takuar Zëvendësndihmës-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, me të cilin bisedoi për thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Thaçi përmes një postimi në facebook ka thënë se janë pajtuar për të realizuar prioritetet për Kosovën, duke përfshirë edhe krijimin e ushtrisë. Për këtë të fundit thotë se do të krijohet nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.
Postimi i plotë i Thaçit në fcb:
Në një periudhë sfiduese për rajonin, roli i SHBA-së si gjithmonë është vendimtar për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor. Në një drekë pune me Zëvendësndihmës-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, biseduam për thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Ne u pajtuam për veprimet konkrete drejt realizimit të prioriteteve kryesore për Kosovën, që ndërlidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, fillimin e punës për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës, nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.
SHBA-ja është dhe gjithmonë do të mbetet partneri kryesor strategjik në rrugën tonë euroatlantike. HTH.