Britania e Madhe i ka dërguar notë Surinamit për shkak të tërheqjes së vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, citojnë mediat e Beogradit ministrin serb të Jashtëm, Ivica Daçiqin, transmeton Koha.net.
“Pa marrë parasysh se disa vende të mëdha thonë se janë miq tanë, duhet të them se njëra këto vende të mëdha, Britania e Madhe, i ka dërguar notë proteste Surinamit për shkak të tërheqjes së vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, citon B92 Daçiqin.
“Na gëzon vendimi i Surinamit për tërheqjen e njohjes, e po ashtu edhe qëndrimi i Guinea Bisaos, që tregon se pushteti aktual është në anën e mbrojtjes së integritetit territorial dhe të sovranitetit të Serbisë”, ka thënë ai.
Sipas tij, dokumenti të cilin autoritetet e Prishtinës e përdorin argument se Guinea Bisao ka njohur pavarësinë e Kosovës, nuk ka kaluar nëpër procedurat legale në këtë vend afrikan dhe autoritetet vendore e konsiderojnë falsifikuat (mediat serbe dje thanë se ai nuk ishte me alfabet cirilik por latin, prandaj Serbia nuk e konsideron valid – sqarim ynë).
Daçiq citohet të ketë thënë se “në dritën e zhvillimeve në Katalonjë, në botë ka gjithnjë e më shumë pikëpamje që flasin për pasojat e njohjes së pavarësisë së Kosovës e Metohisë. Tajvanin një kohë e kishin njohur 70 vende, por shikoni sa është numri i tyre sot. Edhe Jugosllavia e kishte njohur Saharën Perëndimore, por e tërhoqi atë njohje”, është shprehur Daçiq.
Të rikujtojmë se nga institucionet përkatëse në Kosovë nuk ka pasur ndonjë njoftim për këtë notë proteste të Britanisë Madhe drejtuar Sirunamit, siç pohon ministri i Jashtëm i Serbisë.