Bisedimet midis Britanisë dhe Bashkimit Evropian do të rinisin sot, në përpjekjen e fundit për të arritur marrëveshje tregtare, pas Brexit-it.
Periudha e tranzicionit pas Brexit-it, apo daljes së Britanisë nga BE-ja, skadon më 31 dhjetor.
Asnjë përparim nuk u raportua pas bisedimeve të mbajtura të dielën në Bruksel.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të bisedojnë sot dhe të vendosin nëse ka kuptim vazhdimi i negociatave.
Dy udhëheqësit thanë përmes një deklarate të përbashkët se dallimet e mëdha mbeten në tri fusha: terrenin e barabartë, qeverisjen dhe peshkimin.
Peshkimi është veçanërisht i ndjeshëm, sepse BE-ja dëshiron qasje të gjerë në vendet e peshkimit në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që kontrolli i peshkimit ka qenë një nga çështjet kryesore për mbështetësit e Brexit-it.
Kryeministri i Irlandës, Michael Martin, tha të dielën se situata është “e rrezikshme”.
Vendi i tij do të përballet me vështirësi ekonomike më shumë se çdo tjetër në bllok, nëse divorci midis Britanisë dhe BE-së përfundon pa marrëveshje.
Britania ka dalë nga BE-ja më 31 janar, por ka vazhduar tregtinë me bllokun nën të njëjtat kushte.
Statusi i tranzicionit me BE-në përfundon në fund të vitit.
Dështimi për të arritur marrëveshje tregtare mund të krijojë kaos në kufij, për shkak të tarifave dhe masave të tjera.
Ky skenar do t’i lëkundte gjithashtu tregjet financiare dhe zinxhirët e furnizimit në të gjithë Evropën.