Britania do të lejojë kompaninë kineze të teknologjisë “Huawei” ta ndihmojë në ndërtimin e rrjetit celular të gjeneratës së re, një goditje kjo ndaj fushatës amerikane për ta bojkotuar gjigantin e pajisjeve të telekomit, në të gjithë botën.
Qeveria britanike njoftoi të martën se do ta lejojë “Huawei”-n të ndërtojë pjesët më pak kritike të rrjetit të ri pa tel me shpejtësi të lartë “5G”, njofton VOA.
Uashingtoni ka bërë një fushatë kundër “Huawei”-t prej më shumë se një viti, duke vënë theksin tek shqetësimet që lidhen me sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet e kësaj kompanie me Partinë Komuniste Kineze.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera me vendimin e Britanisë”, tha të martën një zyrtar i lartë i administratës Trump. “Nuk ka siguri me kompani që nuk ofrojnë besim për të kontrolluar pjesë të një rrjeti 5G”, shtoi ai.
Zyrtari amerikan tha se SHBA-ja është e gatshme të punojë me Britaninë për të përjashtuar “elementët jo të sigurt që ofrohen nga kompani që nuk ofrojnë besim për ndërtimin e rrjetit 5G”.
Pa përmendur ndonjë kompani, Britania tha se do të përjashtonte kompanitë me “rrezik të lartë” nga ofrimi i komponentëve thelbësorë” të rrjetit të ri. Por zyrtarët britanikë njoftuan se do të lejojnë kompanitë “me rrezik të lartë” të ofrojnë shërbimin e tyre për deri 35 për qind të atyre pjesëve “më pak të rrezikshme” të infrastrukturës së re pa tel.
Njoftimi i Britanisë vjen një ditë përpara vizitës në Londër të sekretarit të Shtetit Mike Pompeo i cili pritet të takohet me Kryeministrin Boris Johnson. Njoftimi e vendos zotin Johnson në një pozitë të vështirë, ndërsa pret që të arrijë sa më shpejt një marrëveshje tregtare me administratën Trump, pas shkëputjes së vendit nga BE-ja.
Në një telefonatë të premtes me zotin Johnson, presidenti Donald Trump i tha atij përfshirja e kompanisë “Huawei” do të shkaktonte një përçarje të madhe në marrëdhëniet transatlantike e do të rrezikonte shkëmbimin e informacioneve të zbulimit mes Uashingtonit dhe Londrës.