Stuhia Jorge e ka përshirë Britaninë e Madhe, ndërsa muaji i kaluar, konsiderohet të jetë shkurti më i lagësht ndonjëherë në histori.
Kjo stuhi ishte e katërta me radhë gjatë këtij viti, që u përcoll me erëra të fuqishme që arrinin në mbi 100 kilometra në orë, derisa shumë zona janë përmbytur nga të reshurat e vazhdueshme të shiut, transmeton Telegrafi.
Moti nuk duket se është përmirësuar, pasi në Angli dhe Uells, gjatë ditës së sotme mund të ketë edhe 300 përmbytje tjera nga ujërat e shirave.
Anglia Veriore, Uellsi i Veriut, Irlanda Veriore dhe Skocia janë të rrezikuara nga erërat e fuqishme dhe banorëve iu kërkohet të bëjnë kujdes gjatë daljeve të sotme.
Gjatë ditëve të fundit, Britania e Madhe është goditur nga Stuhia Ciara dhe Stuhia Dennis, që kanë shkaktuar dëme të mëdha, për të cilat po punohej që të rregulloheshin.
Për momentin, janë rreth 600 shtëpi dhe po aq biznese, që janë dëmtuar nga stuhia në Uells, ndërsa në regjione tjera dëmet janë më të vogla.
Fuqia e stuhisë, tregohet më së mirë nëpërmjet pamjeve ku shihet një kamion që rrotullohet në mes të rrugës. /Telegrafi/