Britania e Madhe mund t’u paguajë individëve deri në 161 mijë dollarë në rast se vuajnë prej efekteve të ashpra anësore të vaksinës kundër COVID-19, ka bërë të ditur të enjten Qeveria e shtetit ishullor, në prag të fillimit të injektimit të qytetarëve me vaksinën e “Pfizerit” dhe “BioNTechut” në vend, pas aprovimit për përdorim emergjent.
Departamenti i Kujdesit Shëndetësor dhe Social do të shtojë COVID-19 në listën e sëmundjeve të një skeme ekzistuese për mbulimin e efekteve anësore – e njohur si Skema e pagesave për dëmet e vaksinave – dhe megjithëse vaksinën do ta marrin vetëm kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve në këtë fazë fillestare, vendimi është konsideruar “hap preventiv”.
Kompensimi për çfarëdo efekti të mundshëm anësor nga vaksina e COVID-19 ka qenë subjekt i debatit të gjerë në muajt e fundit, me prodhuesit e ilaçeve dhe qeveritë në mbarë botën që kanë punuar në afat kohor rekord për zhvillimin dhe aprovimin e vaksinave kundër sëmundjes, e cila ka shkaktuar ndryshim radikal në mbarë botën.
Britania do të vazhdojë të monitorojë sigurinë e vaksinës së “Pfizerit” dhe “BioNTechut”, pasi që u bë të mërkurën shteti i parë në botën perëndimore që aprovoi një vaksinë për përdorim emergjent pas autorizimit shtetëror.
Megjithatë, në skemën e dëmeve anësore nuk përfshihen shpenzimet që mund të dalin nga vaksinimi në Evropë. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se me qëllim që të prekurit të mund të përfitojnë, duhet të ketë një lidhje të dëshmuar nga mjekësia ndërmjet vaksinës dhe efektit anësor negativ që shkon deri në gjashtëdhjetë për qind.
Ky sistem skematik ishte themeluar më 1979, duke u bazuar në Ligjin për kompensimin e dëmeve, dhe mbulon sëmundje që përfshijnë meningjitin, HPV-në dhe tuberkulozin. Në të kaluarën ka mbuluar edhe linë dhe gripin e shpendëve