Britania shënon 111 viktima me Coronavirus

Prishtinë | 17 Maj 2020 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Gjatë 24 orëve të kaluara, nëpër spitalet e Britanisë së Madhe kanë vdekur 111 pacientë me Covid-19, duke e çuar në 34,577 numrin e përgjithshëm të viktimave.

Nga viktimat e shënuara në 24-orëshin e kaluar, 90 raste fatale ndodhën në Angli, 12 në Uells dhe 9 në Skoci. Irlanda Veriore ende nuk i ka publikuar të dhënat për të dielën, shkruan “Metro UK”.

Kjo është shifra më e ulët ditore në gati dy muajt e fundit. Britania kishte shënuar më shumë se 100 viktima për 24 orë për herë të parë në muajin mars. Megjithatë, shifrat në fundjavë janë shpesh më të ulëta sesa gjatë ditëve të punës për shkak se disa raste mund të mos jenë përfshirë në statistika si pasojë e numrit më të vogël të stafit.

Shifrat e reja u publikuan në kohën kur në Britani është hapur një debat për atë se kur duhet të rihapen shkollat. Kryeministri Boris Johnson dhe kabineti i tij shpesh kanë thënë se synojnë që fëmijët t’i kthejnë në shkollë nga 1 qershori, por një plan të tillë e kanë kundërshtuar sindikatat e mësueve me arsyetimin se mungon siguria shëndetësore.

Shqetësimet e mësuesve i kanë mbështetur edhe mjekët e Shoqatës Mjekësore Britanike, duke thënë se mësuesit kanë absolutisht të drejtë për ta tërhequr vërejtjen.

Britania është në mesin e vendeve me më së shumti raste të koronavirusit në botë. Para saj gjenden vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Të ngjashme