Mbretëria e Bashkuar i ka shënuar vetëm 62 viktima të reja të koronavirusit. Kjo është shifra më e ulët ditore që nga fillimi i zbatimit të karantinës.
Për ditën e dytë rresht, asnjë viktimë e koronavirusit të ri nuk është raportuar në Skoci dhe as në Irlandën Veriore, shkruan “Metro UK”.
Nga rastet e shënuara, 59 vdekje u regjistruan në spitale Angli dhe tri të tjera në Uells. Shifra e Uellsit përfshin rastet në spitale, në shtëpi të personave të moshuar dhe në vende të tjera.
Sipas Departamentit të Shëndetësisë, shifra e përgjithshme e viktimave ka shkuar në 40,597.
Shifra ditore e së hënës është më e ulëta që nga 22 marsi, kur ishin regjistruar 35 të vdekur.
Ndryshe, personat që futen në territorin e këtij shteti nga e hëna do të jenë të detyruar të qëndrojnë në vetizolim për 14 ditë. Nëse nuk e respektojnë këtë masë, individët mund të dënohen me më së shumti një mijë funte.