Ambasada Britanike ka shprehur gatishmërinë e saj për të ndihmuar Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës gjatë përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.
Kjo ambasadë përmes memorandumit që ka me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, kishte ofruar ndihmën e tyre edhe për konkursin që ishte hapur më 19 nëntor, por nuk ishte ftuar fare që të merrte pjesë në këtë proces, shkruan sot Koha Ditore.
Ky konkurs ishte anuluar pasi vetëm dy nga pesë kandidatët që kanë konkurruar i kanë plotësuar kushtet e përcaktuara në konkurs. Megjithatë, mënyra e vendosjes së kritereve të konkursit dhe mbarëvajtja e procesit ka ngjallur reagime si te deputetët e opozitës ashtu edhe të Sindikatës së pavarur të RTK-së, të cilët kanë kërkuar që ky proces të jetë transparent.
Bazuar në këto, Sindikata e Pavarur e RTK-së ka kërkuar nga Ambasada e Britanisë që të monitorojë këtë proces. “E rëndësishme për të punësuarit e RTK-së është mbështetja e Ambasadës suaj në konkursin për pozitën e drejtorit gjeneral të RTK-së, i cili pritet shumë shpejt të rishpallet për shkak të dështimit në tentimin e parë. Posti i drejtorit gjeneral në RTK është më i rëndësishmi prej të gjitha pozitave të tjera në këtë institucion, dhe është më se e nevojshme që konkursi për këtë pozitë të realizohet me një transparencë të plotë”, thuhet në kërkesën e Sindikatës. E kësaj kërkese i është përgjigjur Ambasada e Britanisë, e cila ka thënë se “ata kanë ofruar ndihmën e tyre që të angazhohen, por që nuk janë ftuar që të marrin pjesë në këtë proces”. Por Ambasada ka shprehur gatishmërinë e saj, që në rast se ftohet nga Bordi të marrë pjesë në proces.