Numri i fëmijëve që nuk jetojnë në Gjermani, por marrin para të shtetit gjerman nga prindërit e tyre në Gjermani është rritur. Komisioni Evropian ndërhyri në debatin për ndryshimin e pagesave ndaj tyre
Gjermani është hapur një diskutim për shtimin e numrit të të huajve nga shtete të tjera të Bashkimit Evropian, të cilët marrin subvencione mujore për fëmijët e parritur. Brenda një viti numri i atyre që marrin subvencione për fëmijët është rritur me dhjetë përqind. Në këtë kuadër Federata Gjermane e Komunave kërkoi që subvencionet për fëmijët të orientohen në shumën për të cilën kanë nevojë fëmijët në vendin ku ata po qëndrojnë faktikisht.
Por Komisioni Evropian u shpreh kundër rregullave të reja për subvencionet për fëmijët që jetojnë në botën e jashtme. Kur një punëmarrës paguan kontribute në një sistem social nacional, ai duhet të marrë të njëjtat shërbime, si çdo person tjetër – pavarësisht nga kombësia dhe vendi se ku banojnë fëmijët e tij.
Këtë ia bëri të ditur një zëdhënëse e Komisionit Evropian agjencisë gjermane të lajmeve dpa. Një përshtatje e subvencionit për fëmijët në shpenzimet e jetesës në vendin ku jetojnë fëmijët nuk është parashikuar askund në të drejtën e BE, për shkak të ndalimit të diskriminimit. Një shpërdorim i mundshëm i rregullave në fuqi duhet të trajtohet duke forcuar instrumentat kundër shpërdorimit, u tha.
Sipas qeverisë gjermane, në qershor u paguan para për 268.000 fëmijë, të cilët jetojnë në shtete të tjera në BE ose në Hapësirën Ekonomike Evropiane. Kjo shumë është dhjetë për qind më e madhe se në fund të 2017.
Agjencia Federale e Punës thotë se ka raste të veçuara edhe për mashtrime me paratë për fëmijët, për shembull me çertifikata për fëmijë që nuk ekzistojnë.