Brukseli përkrah anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropian, problemi me Serbinë ia vështirëson të jetë anëtarë e BE-së

Prishtinë | 22 Pri 2022 | 17:24 | Nga Ekonomia Online

Brukseli mbështet plotësisht anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, mirëpo paralajmëron se nuk ka procedura të përshpejtuara për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Parakusht për anëtarësim në unionin evropian shihet edhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu theksohet në dy nga disa pikat e raportit të Komisionit Evropian për këtë vit, të përpiluar nga Viola Von Cramon, raportuesja e Kosovës nga institucioni i BE-së. Sikurse në raportet e tjera ndërkombëtare, theksohet se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Në po të njëjtin dokument, shprehet keqardhje për pesë shtetet mos-njohëse ndaj pavarësisë së Kosovës, raporton lajmi.net.

“PE vë në dukje gjithashtu synimin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2022, por thekson se nuk ka procedurë të shpejtë për këtë dhe se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është e nevojshme që Kosova të përparojë në rrugën e saj evropiane”, thuhet në pikën e shtatë të këtij raporti.

Në pjesën e respektimit të të drejtave fundamentale njerëzore, theksohet edhe sulmi ndaj gazetarëve prej akterëve politikë, i cili quhet i papranueshëm. Një gjë e tillë është theksuar edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe atë të Freedom House.

Po ashtu, sikurse më herët, Parlamenti Evropian kërkon me urgjencë nga Qeveria Kurti miratimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që t’i ofrohet parcela Manastirit të Deçanit.

Ndër të tjera, në raportin dërguar KE-së nga Von Cramon, shprehet dëshprim për mos-mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.

Raportin e plotë mund ta shihni këtu.

Të ngjashme