Bruto Prodhimi Vendor (BPV) në tremujorin e parë të këtij viti (TM1 – 2016) shënon rritje reale për 3.8% në krahasim me TM1 të vitit 2015, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e “Bruto Produktit Vendor” për tremujorin e parë 2016, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe konstante.
Sipas publikimit, rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: hotelet dhe restorantet me 14.0%; ndërtimtaria me 8.2%; shërbimet e tjera me 3.5%; transporti dhe magazinimi me 3.3%; tregtia me shumicë dhe pakicë 3.1%; furnizimi me energji elektrike, ujë dhe trajtim të mbeturinave me 2.4%; aktivitetet financiare dhe të sigurimit 2.2%; dhe të tjerat me një rritje më të vogël.
Ndërsa, rënie reale kishte në të dhënat e industrisë nxjerrëse (8.1%); afarizmit me pasuri të patundshme (4.0%); administrimit publik (2.2%).
BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje në: formimin e bruto kapitalit me 22.1%; importin e mallrave dhe shërbimeve me 13.0%; shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe institucionet jo-përfituese në shërbimin e ekonomive shtëpiake (IJPSHESH) 5.3%; eksportin e mallrave dhe shërbimeve 0.6%; si dhe në shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 0.9%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.