BSh: Ekonomia shqiptare po forcohet, vlerësimi i lekut e dëshmon

Prishtinë | 10 Maj 2018 | 15:43 | Nga

Vlerësimi i monedhës vendase tregon se ekonomia shqiptare po forcohet sipas Bankës së Shqipërisë (BSh). Në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të këtij viti BSH vëren se tendenca mbiçmuese e lekut dhe rënia e vazhdueshme e euros, është ndikuar nga faktorë afatshkurtër të paktën sa i përket monedhës së përbashkët.

Në raport thuhet se, “Kursi i këmbimit forcoi ritmet mbiçmuese muajt e fundit me një mbiçmim prej 5.3% ndaj gjithë shportës së monedhave, si rrjedhojë e reflektimit të euros. Në analizat e bankës, kjo prirje është në linjë me fondamentet e ekonomisë, tregon për një ekonomi që po forcohet. Në tremujorë të veçantë, kursi është ndikuar nga prurjet valutore, që kanë qenë afatshkurtër.”

Në vlerësim e lekut, ndikim sipas bankës kanë dhënë transaksionet e operatorëve të mëdhenj, ndërsa oferta në valutë ka qenë më e lartë se kërkesa.

Prej pak ditës, monedha europiane po këmbehet në pikat e këmbimit valutor nën vlerën 127 lekë.

Ndërkohë, banka e Shqipërisë vlerëson në raportin e saj të fundit se ecuria ekonomike përkon me pritjet e saj. “Rritja ekonomike u ngadalësua në tremujorin e katërt 2017, kurse inflacioni u rrit në tremujorin e parë 2018. Kushtet e financimit mbeten lehtësuese dhe mbështesin nxitjen e kërkesës agregate. Megjithatë, kreditimi i sektorit privat vijon të jetë i moderuar. Inflacioni mesatar i tremujorit të parë shënoi nivelin 1.9%, duke shënuar rritje të lehtë në një tremujor më parë. Rritja e atribuohet rritjes së çmimit të qirasë dhe çmimeve të administruara. Rritja e inflacionit u favorizua nga zgjerimi i kërkesës agregate dhe presioneve të brendshme të inflacionit. Inflacioni mbetet nën objektivin tonë prej 3%,” – nënvizon Banka në raport.

Sipas raportit, të dhënat e disponuara sugjerojnë për ritme të ngjashme rritjeje edhe në tremujorin e parë të vitit 2018.

“Parashikimet tona sugjerojnë se ekonomia do të vijojë të rritet gjatë horizontit afatmesëm, e ndihmuar nga përmirësimi i ambientit të huaj dhe nga kushtet e favorshme të financimit në vend. Shfrytëzimi më i plotë i kapaciteteve prodhuese, rritja e presioneve të huaja inflacioniste dhe ankorimi më i mirë i pritjeve inflacioniste afatmesme, krijojnë premisa për forcim in e presioneve inflacioniste. BSH parashikon se inflacion i do të kthehet në objektiv brenda vitit 2019,” thekson BSH.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme