Bashkimi i Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës, ka bërë të ditur se nëse nga ora 11:30 deri në ora 12:00 do të mbajnë një grevë paralajmëruese për të mbështetur kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn që po mbahet në Francës.
Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi në një konferencë për media tha se kjo grevë do të jetë vetëm paralajmëruese dhe se nëse nuk lirohet Haradinaj, do të ndërmarrin edhe hapa tjerë, raporton Ekonomia Online.
“Për ne në Kosovë, Ramush Haradinaj është një hero i gjallë i cili i doli zot atdheut. Andaj me këtë rast i drejtohem punëtorisë kosovare që më datë 14.03 nga ora 11:30 deri në orën 12:00 do të mbajmë grevën paralajmëruese nëpër vendet e punës në përkrahje për lirimin sa më të shpejtë të tij nga Gjykata franceze”, tha ai.
Arifi: Ligji për Sigurime Shëndetësore të mos jetë barrë për punëdhënësit
Në këtë konferencë u fol edhe për: Projektligjin për Sigurimet Shëndetësore; Plotësimin e Ligjit për Stazhin e Kontributdhënësve dhe Projektligjit për pagat, që sipas BSPK-së, janë ligjet më problematike në Kosovë.
Kryesindikalisti Arifi tha se BSPK-ja ka kërkuar që Ligji për Sigurime Shëndetësore të mos jetë barrë për punëdhënësit.
“Tanimë si kërkesë e jona është tek ndalesa që bëhet 3 plus 5 nga punëdhënësi dhe 3 plus 5 nga punëmarrësi, kemi kërkuar që të mos jetë një barrë ndoshta për punëmarrësit dhe është një kërkesë e jona që në këtë projektligj të ndryshojë çështja e pagesës, vitin e parë të jetë 1 plus 1, vitin e dytë 2 plus 2, kurse në vitin e tretë 3 plus 3”, tha ai.
Sipas tij, gjithashtu është kërkuar të zvogëlohet pragu për njohje të stazhit të punës nga 15 në 10 vjet.
“Tani vjen në pyetje stazhi i njerëzve që dalin në pensionohen dhe mund të jetë për një, gjashte muaj një vit nuk e arrijnë atë që është kërkuar me stazhin e ligjin e punës. Ne po kërkojmë që në këtë ligj të zvogëlohet pragu nga 15 në 10 vite ose të eliminohet fare që të drejtën e atyre që kanë punuar me dekada mos të ua cenojnë sepse sikur ai që ka punuar sikurse ai që s ka punuar fare të barazohet me marrjen e pensionit 75 euro”, deklaroi Arifi.
Ndërsa për Ligjin për Paga për të cilin ai tha se është një ndër ligjet më problematike. Sipas tij, koeficienti 1 deri në 11 është një krim. Arifi tha se askund nuk gjendet që paga të kategorizohet nga një në njëmbëdhjetë. Kërkesa e BSPK-së është që koeficienti të jetë 1 deri në 7.
“Problem për momentin e kemi shumë edhe ligjin për paga. Është një projektligj që i ndëshkon kategoritë e punonjësve në Kosovë, dhe koeficienti që është dhënë me këtë ligj mos të them se është diskriminim por është krim sepse një koeficient prej 1 deri në 11 është dashtë të mendohet ndryshe. Ne si BSPK e kemi një propozim që në atë projektligj të futet koeficienti prej 1 deri në 7.
Ky ligj për paga më shumë është dedikuar për sektorin publik se atë privat, por ne e kemi parë që ky ligj është një diskriminim” tha ai.
Nënkryetari i BSPK-së, Alush Sejdiu, tha se këto ligje nuk vlejnë vetëm për sektorin publik, por edhe për atë privat.
“Është një diskrepancë për arsye se ligjet për të cilat ne e kemi fjalën këtu përmes ligjeve obligohet edhe sektori privat dhe jo vetëm ai publik . Është fat se invazioni për të kërkuar vende të punës është më tepër në sektorin publik për arsye se aty të drejtat e punëtorëve mund të them se respektohen më shumë dhe ka akte ligjore dhe nënligjore të cilat janë të rregulluara më mirë sesa në sektorin privat”, ka thënë ai.