Avni Ajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka thënë se pret që qeveria e re të ngrisë pagën minimale në 350 euro, përndryshe ka paralajmëruar se mund të dalin në rrugë për të protestuar.
Në Express Intervistën në KTV, Ajdini ka thënë se paga minimale e deritashme 130 dhe 170 euro ishte diskriminim për të drejtat e njeriut.
“Më 2017, këshilli ekonomiko-social ka marrë vendim që paga minimale të bëhej 250, por kjo vlejti për vitin 2018 dhe ne jemi më 2019 e kërkojmë pagë minimale 350 euro. Kjo është e arsyeshme sepse nëse duam të ngrisim ekonominë e vendit duhet të jepet ajo që meriton punëtori, të ndërrohet politika dhe të mos lejohet cenimi i të drejtave të punëtorit. Sindikata ka ndryshuar politikën me të cilën bën presion për të drejtat e punëtorëve. Qeveria edhe pse premton nuk realizon, por konsideroj se me këmbëngulësi do të qëndrojmë karshi kërkesave tona”, ka thënë ai.
I pyetur nëse do të kërkojnë ngritjen e pagës minimale duke bërë grevë sikur që kishte bërë Sindikata e Arsimit, Ajdini ka thënë se “ne sindikatat tjera dalim në rrugë”.
“Mund të bëjmë grevë, por nëse marrim për bazë ElektroKosovën mund të ndalet korrenti dhe të dëmtohet populli i vet, por ne nuk e duam këtë”, ka thënë ai duke shtuar se fillimisht po presin realizimin e kërkesës së tyre përmes dialogut me qeverinë.
Ajdini ka shtuar se pret që dy partitë që dolën fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, Vetëvendosje dhe LDK-ja të përmbushin kërkesën e BSPK-së.
Ai ka thënë se të rinjtë në Kosovë po ikin për shkak të pagës së ulët dhe shkeljes së të drejtave të punëtorit. Sipas tij, nëse nuk ngritët paga minimale dhe nëse nuk përmirësohen kushtet e punës, akoma më shumë të rinj mund të largohen nga vendi.
Ajdini ka thënë se kanë bërë shumë presion dhe kërkesa ndaj qeverisë, duke shtuar se kanë marrë gjithmonë vetëm premtime, por që s’janë realizuar kurrë.
Ka kërkuar që të ngritet edhe vetëdija e punëtorit për të kërkuar më shumë të drejtën e tij.
Për Ligjin mbi Pagat dhe përfshirjen e nenit që kërkon pagesën për veteranët njëjtë sa është paga minimale, Ajdini ka thënë se “s’kanë qenë të njoftuar me kohë për këtë”.
Për këtë ligj, ai ka thënë se ngritja është dashur të fillojë nga punëtorët e jo nga krerët e shtetit.
“Shtëpia ndërtohet nga themelet dhe ekonomia e vendit fillon të ndërtohet nga punëtorët, jo nga zyrtarët politikë”, ka shtuar ai.