Deklarata e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për zgjedhjet është paralajmërim për kryeministrin Mustafa se në rast se nuk reflekton sidomos për sa i takon zhvillimin ekonomik, atëherë rrezikshmëria e votëbesimit të qeverisë është e arsyeshme, kështu është shprehur në emisionin ‘Fakt Plus’ deputeti i PDK-së, Shukri Buja.
Ky i fundit thotë se në zgjedhje nuk është mirë të shkohet pa amendamentimin e ligjit zgjedhor, megjithatë sipas tij, nëse nuk ka një marrëveshje mes spektrit politik për këtë çështje, atëherë fundi i nëntorit mund ta gjejë vendin në zgjedhje.
Buja e quan të pakuptimtë vazhdimin e qeverisjes, nëse një koalicion qeveritar nuk i ka votat e mjaftueshme për të votuar një projektligj i cili është i ndërlidhur me liberalizimin e vizave.
Në këtë intervistë ai ka folur edhe për vullnetin e ndërkombëtarëve për sa i takon mbajtjes se zgjedhjeve si dhe për afatet tjera eventuale kur qytetarët do të mund t’i drejtohen kutive të votimit.