Profesori universitar, Bujar Dugolli, ka komentuar në emisionin Pressing në T7 deklaratat e Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, për UÇK-në.
Dugolli ka thënë se kushdo që vjen në pozitë drejtuese në shtetin e Kosovës duhet të ruajë vlerat e popullit, e njëra ndër këto vlera është lufta për liri.
“Vlera më e madhe që e ka bërë populli i Kosovës është lufta clirimtare për liri dhe pavarësisë. Cdo kryeministër apo ministër duhet ta ketë të qartë se UCK është vlerë e këtij populli dhe ka rëndësinë e vet historike. Sa i përket Albin Kurtit, garantoj se ai e njeh e respekton dhe nuk ka asnjë kundërshtim në atë pjesë. Donika i tha pak a shumë këto fërkime që kanë ndodhur para, gjatë dhe paslufte, dhe mendoj se ka gabuar. Mendoj se për të gjitha krimet është adresë Serbia e jo shqiptarët. Krimet dhe sjelljet e pahijshme ndodhin edhe në ushtritë e rregullta dhe milicitë por ato kurrë nuk përgjithësohen. Pajtohem plotësisht se liderët duhet të jenë përfaqësues të të gjitha vlerave të Kosovës dhe të atyre që nuk i kanë votuar dhe me dinjitet të kryejnë detyrat. Ato deklarata që i ka thënë më përpara nuk duhet t’i ndikojnë në punën e saj. Kur dikush e merr pozitën e ministrit duhet të ketë kujdes në qëndrimet zyrtare. Ajo ka probleme të mëdha në ministrinë e saj që i ka paraqitur në komisionet parlamentare. Nuk është mirë të sulmohet për disa deklarata që i ka dhënë në të kaluarën dhe duhet t’i jipet një shancë”, ka thënë Dugolli.